Transmetuar më 23-02-2017, 12:11

Tiranë, 23 shkurt 2017, NOA.al- Në një kohë që Kuvendi ka nisur seancën e përjavshme parlamentare, opozita vijon protestën për të gjashtën ditë me radhë, në bulevard.

Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare deklaroi se pas mbi 20 vitesh me iluzionin e shkopit magjik dhe duke e shtyrë sot për nesër punën e pabërë, po bëhet puna e duhur për të siguruar një të ardhme me shtet.

Rama deklaroi se protesta e Partisë Demokratike, bëhet se opozita nuk e do ‘Vettingun’. Madje ai shtoi më tej se gjithçka, ndodh në këtë moment, pasi javën që vjen nisin procedurat e ‘Vettingut’.

Po ashtu ai tha se ‘Vettingu’ është kushti i vetëm për hapjen e negociatave.

Ai foli edhe për akuzat e opozitës lidhur me ekonominë, duke thënë se vendi ka arritur të dalë nga kriza financiare falë politikave efikase.

“Në një vend që konsumi rritet ka më shumë apo më pak varfëri?! Ka ende një problem të madh siç është varfëria, por një problem që për herë të parë atakohet drejtpërdrejtë dhe jo duke i ardhur rrotull me lëmosha, shtyje ta shtyjmë. Komisioni Europian është një autoritet që i fut të dridhurat edhe vendeve më të mëdha të BE kur vjen puna te parametrat ekonomikë. Ata që flasin kundër rritjes ekonomike në vend kanë për qëllim të tërheqin për hunde sa më shumë njerëz të dëshpëruar me gënjeshtra pas gënjeshtre, si hiena që jetojnë me kërma. Trendi pozitiv i konsumit vijon për të pestin tremujor”, tha Rama.

Në vijim kreu i qeverisë tha se në qershor kur do të mbahen dhe zgjedhjet, do jetë pranverë dhe shi nuk do të bjerë.

Nga ana e tij në protestë kryedemokrati Lulzim Basha, deklaroi se nuk do të ketë kurrë më zgjedhje të kapura nga krimi, por vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas tij, nëse mazhoranca nuk trembet nga drejtësia e pakapur, le të krijohet qeveria teknike.

“Qëndresa jonë sapo ka filluar, rruga tjetër të çon në një rrugë të kapur nga bandat dhe krimi”, u shpreh Basha.

Ai kërkoi krijimin e qeverisë teknike, si kusht të dytë dhe ndryshim të 7 ligjeve te reformës në drejtësi dhe së treti konsensus për ‘Vettingun’.   

Ai e cilësoi protestën si një lëvizje të madhe popullore dhe kombëtare, duke shtuar se Partia Demokratike ka nderin të jetë pjesë, të jetë në ballë të kësaj lëvizjejederi në përmbysjen e republikës së krimit, korrupsionit dhe ndërtimin e një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis dhe asnjë negociatë.

“Parlamenti i shqiptarëve, parlamenti i qytetarëve është këtu. Nuk do të ketë asnjë hap mbrapa, se, ditë për ditë, ne do të avancojmë deri në fitoren e plotë të kauzës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes largimit të kësaj qeverie, dhe vendosjes së një qeverie tjetër që i garanton ato. Ditë për ditë shqiptarët po bashkohen. Dua të përshëndes sot në mënyrë të vecantë marshin epik të banorëve të Zharëzës, të cilët po i afrohen ora orës Tiranës, po i afrohen ora orës sheshit të lirisë, parlamentit të qytetarëve shqiptarë, do ti mirëpresim këtu këta njerëz të vuajtur këta njerëz të nëpërkëmbur të zhvatur dhe të goditur rëndë nga arroganca nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie”, tha Basha.

Ai deklaroi se koha ka ardhur që përballë banditëve të veshur me pushtet e pushtetit të përforcuar me banditë, të rreshtoheh të gjithë qytetarë të lirë të Shqipërisë, në këtë betejë për të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Dënglat e tyre se ata duan reformën në drejtësi, dhe ne nuk e duam, nuk i bëson më askush. Nuk ka zog gomari ti besojë. Nga vetingu i vërtetë dhe drejëtsia e vërtetë ka frikë Edi Rama, ka frikë Vangjush Dako dhe bandat e lidhura me to”, u shpreh Basha.

Në vijim ai tha se Partia Demokratike e bëri detyrën e vetë në Parlament, duke shtuar se ishin ata që përjashtuan opozitën nga 7 ligjet duke thyer premtimin që dhanë përballë partnerëve euroatlantikë.

“Por nëse në të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga Vetingu, ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pas korigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vetingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorrët e pakapur?! Ata që e kanë lidhur fatin e tyre me bandat?! Ata që kanë vjedhur dhe shpërdoruar qindra e miliona euro në çdo sektor, apo opozita që e ka lidhur fatin e saj me fatin e qytetarëve shqiptarë?!”, deklaroi Basha.

Më tej tha se PD do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut./a.y/noa.al