Transmetuar më 22-02-2017, 22:26

Nga Adem Harxhi

Në këto kohë sfidash, kur ne të rriturit tregojmë shenja të ankthit dhe dëshpërimit në nivelin më të lartë, dhëntë "Zoti" e na shpëtojnë fëmijët, që janë duke u rritur shpejt, por, gjithashtu, të frikësuar.

Kur isha nxënës në shkollë shqetësimi im më i madh ishte nëse do më zgjidhnin në skuadrën e futbollit të klasës, ose a do të më merrnin shokët në shoqërinë dhe festat e tyre.

Ndërsa, tani, fëmijët kanë frikë mos i vrasin. Gjashtëvjeçarët e sotëm shikojnë se si i vrasin dhe i dhunojnë fëmijët e moshës së tyre.

Nxënësit më të rritur kalojnë në detektorët metalikë, se mos njëri prej tyre mban ndonjë armë.

Nëpër kompeticionet televizive, midis të tjerave, fëmijëve u shkon mendja, që ashtu si edhe prindërit, të korruptojnë juritë.

Fëmijëria nuk është më ajo që duhet të ishte, ajo ka humbur pafajësinë dhe në këtë mënyrë ajo nuk është më fëmijëri.

Fëmijët dhe nipërit tanë e dinë se çfarë ndodh tek ne.

Ata mund të jenë edhe më të ndershëm nga ne të rriturit, kur bëhet fjalë për ndjenjat.

Në një anketim botëror, me fëmijë të moshës dhjetë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç, të zgjedhur nga të gjitha nivelet ekonomike, rezultoi:

• 56% i tremben violencës kundër një anëtari tjetër të familjes. • 53% i tremben faktit se një i rritur i familjes do të humbasë punën • 61% shqetësohen se nuk do të jenë të aftë të gjejnë një punë kur do të rriten. • Vetëm një e treta e tyre tha se ata do të jenë financiarisht më të suksesshëm se prindërit. • 47% tremben se nuk do të kenë shtëpi. • 49% shqetësohen se nuk do të kenë mjaft para. • Vetëm 31% e tyre në qytete dhe 47% në zonat rurale, ndjehen të sigurtë gjatë natës. • Njëri në gjashtë prej tyre, ka parë ose ka njohur dikë që e kanë vrarë.

Nuk kam parë statistikë si kjo në Shqipëri, ndonëse, sociologë e psikologë, aktrojnë vazhdimisht nëpër ekranët vezullues.

Pas këtyre statistikave ulëritëse, unë pyes: A është kjo fëmijëri?