Transmetuar më 22-02-2017, 22:20

Ministri i ri i Drejtësisë, Petrit Vasili, shpjegoi sonte konkretisht se pse Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është sipas tij antikushtetues. Vasili tha se ONM - Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit nuk mund dhe nuk duhet të disponojë informacione sekrete pasi kjo është pa bazë kushtetuese. 

Intervista në Ora News

Vasili: Të jemi të qartë. Kushdo që e ngre kështu problemin qoftë në media, është një mënyrë jetese edhe kjo për analistë të caktuar. Është folur për Bordin e Monitorimit. Operacioni i Monitorimit është vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë. ka edhe njerëz që do të jenë vlerësues të Vettingut, pasi vendimmarrjen e marrin ekspertët përkatës shqiptarë. Shqetësimi është i tillë.

Bordi nuk është parashikuar në Kushtetutë. Ne kemi kërkuar qartësi, pasi çdo element që është jashtë Kushtetutës krijon mos besim. Ky është shqetësim që na shoqëron të tërëve. Ky Bord kishte në detyrat e tij dhe disa atribute, të cilat nuk ishin brenda dhe Kushtetuta nuk i parashikon në atë mënyrë. Ka informacione sekrete të shtetit shqiptar që nuk mund t’ia kalojmë Bordit.

Nuk kam të drejtë as unë si ministër i Drejtësisë, nuk ka të drejtë as kryeministri. Kushtetuta ia ka besuar këtë informacion komisionit përkatës, i cili do ta marrë këtë informacion për çdo individ. Futja në hullinë kushtetuese, është një shqetësim që është adresuar. Kam bindje se do të ketë reflektime pozitive për të përcaktuar qartë se cilat janë përgjegjësitë organizative. Vëzhguesit kërkojnë strukturë organizative.

Përgjigja e komisionerit Hahm

-A morët përgjigje nga komisioneri Hahn?

Vasili: Komisioneri Hahn dha një përgjigje për mendimin tim të një miku të mirë, pas ka qenë mbështetës i reformës dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për konsensus për ndryshimet kushtetuese. Këmbëngulja ime për respektimin e Kushtetutës është që të mos e zhbëjmë këtë konsensus të arritur me shumë mundime. Hahn nuk më ktheu mua një përgjigje.

Në ditët në vijim besoj se do të ketë reflektime për të sqaruar pozicionin e instrumenteve që do ta qartësojnë rolin e Operacionit të Monitorimit, instrumente thjesht administrative. Nuk do të kenë asnjë të drejtë të marrin informacion, të përpunojnë informacion dhe të japin asnjë lloj opinioni.

Çdo gjë do ta ketë vetëm Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili ka marrë 140 vota. Vettingu ka pasur votën deçizive të LSI-së. I kemi bërë shërbim një Kushtetute të qartë. Çdo çedim do të krijonte mos besim të madh dhe një proces kaq delikat se si e kemi ndërtuar do të rrëshqiste në kufijtë e mos besimit.

Të gjithë aktorët politikë, përveç Kuvendit, ju e dini se i jam drejtuar edhe Presidentit, kryetarit të Kuvendit, zt.Lu, zonjës Vlahutin dhe secili nga këta aktor mund të luaj rolin e vet. Kam folur edhe për opozitën. Në këtë moment, na duhet qartësia për të pastruar procesin nga ana kushtetuese dhe ligjore dhe në praktikë. Në Shqipëri shpesh thonë se ka ligje të mira dhe zbatueshmëri të dobët.

Këtu nuk na falet, pasi një zbatim i dobët i Vettingut mund të na bënte të rrëshqisnim në drejtime të paparashikuara. Kushdo qoftë ky, jurist, njeri i komisioneve, nga do që të vijnë këto opinione, të cilët mund të kënaqen nga superficialitetin, që mund të thonë se mund ta ‘plagosim’ pak Kushtetutën. Këto janë qëndrime shumë të rrezikshme, dilentantizma që mund të shoqëronin në rrënim të procesit.

Dhe procesi do të bëhej i atakueshëm në gjykata, kudo. Çdo element që dilte nga Kushtetuta, do ta bënte të atakueshëm. Vettingu është verifikim një për një që ka të bëjë me gjykatësit dhe prokurorët, pra një skaner. Në fund fare, do të ketë njerëz që do të vazhdojnë punën dhe të tjerë që nuk mund të vazhdojnë. Vettingu nuk është shpatë, as heshtë që vret njerëz, por është proces verifikimi ligjor. Çdo lloj përdorimi për qëllime të tjera, është i gabuar.

Mbështetje brenda mazhorancës për Bordin dhe deklaratat e Majkos dhe Manjas

Vasili: Kam përshtypjen që do ketë reflektime. Besoj se ata kanë pasur reagim emocional dhe nuk i keqkuptoj. Kanë edhe një përgjegjësi më të kufizuar. Unë si ministër Drejtësie kam përgjegjësi të tjera që duhet t’i çoj deri në fund.

Nuk mund t’ia lejoj vetes të flas kështu. Mua më intereson që të jetë në rregull Kushtetuta dhe ligji. Nuk do të lumturohenm që zhvillimet nuk do t’u japin të drejtë kolegëve. Do të lumturohem që Kushtetuta dhe ligji do të zbatohen.

Protestat e opozitës

Vasili: Unë nuk jam këtu për të komentuar se ç’thonë ndërkombëtarët. Janë të mirëpritur sugjerimet e tyre dhe mesazhet janë orientuar drejt konstruktivitetit. Protesta në vetvete duhet parë pozitivisht për mënyrën paqësore që ajo demonstroi dhe është një shenjë shumë pozitive. Të ketë protesta të mëdha me larminë e reagimit, kjo është një zgjedhje nga ata që organizojnë protestën. Nuk kemi të drejtë të bëjmë asnjë lloj komenti, negativ jo e jo. Është në sovranitetin e tyre zgjedhja e të gjitha formave që mbajnë një protestë paqësore. Fjalët më të mira në këtë drejtim.

Ne kemi parë për fat të keq në të shkuarën protesta të dhunshme, të nisura në mënyrë të dhunshme dhe të përfunduara në mënyrë të dhunshme. Ndarja nga një standard mizerabël i protestave të dhunshme është besoj një mesazh pozitiv që Partia Demokratike ka dhënë në këtë drejtim si një forcë politike që ka rolin e saj në sferën politike shqiptare. Për sa i takon qëndrimit distancues, bojkot të institucioneve nuk është qasja ime. Në asnjë rast nuk ka qenë bindja jonë që të mbështesim bojkotet, apo bllokimet. Jemi të prirur të shohim…protesta flet për zgjedhje, standarde të mira për zgjedhje…

Procesi zgjedhor ka një Komision që është ligjor. Që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky Komision nuk i ka përmbushur detyrat e veta. Ky Komision duhet ta thotë fjalën e vet sepse në fund të fundit do të kalojë atje dhe çdo gjë dhe çdo lloj sakrifice që duhet të bëjë për të pasur zgjedhje të lira, ia vlen barra qiranë.

Kërkesa për qeveri teknike

Vasili: Nuk fola për qeveri teknike. Propozimi për qeveri teknike është politik i opozitës. Ne nuk kemi shteruar mirë instrumentet për të mbaruar funksionin dhe misionin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kemi një vit e ca që e kemi ngritur dhe taktikisht është bllokuar nga të dyja palët. Nuk ka pasur bllokim të njëanshëm. Edhe opozita ka bërë bllokimet e veta. Duhet ta shterojmë këtë gjë, ta hedhim në tavolinë dhe të tregojmë se jemi shumë larg nga njëra-tjetra.

PD kursen deklaratat kundër LSI-së. A është LSI shpresa për PD-në?

Vasili: Është një pyetje e adresuar gabim. Nuk komentoj as hamendjet, as iderat dhe as iluzionet e opozitës. Detyra ime si politikan është që t’i shërbejë një klime konstruktiviteti dhe besimi në Shqipëri me të gjitha mjetet e mia.

Një shembull i cili është standard i ri politik në këtë drejtim, e ka vendosur një politikan i nivelit shumë të lartë që është Ilir Meta, duke i bërë shërbim dialogut dhe konsensusit dhe 21-22 korriku nuk ishte vetëm konsensus për një Kushtetutë, por një standard i ri se si mund të arrihej konsensus pa u përgjakur dhe pa u ndeshur në mënyrë të egër.

Këtij standardi duhet t’i eci politika shqiptare, pasi konfliktet e mëdha kanë ricikluar konfliktin e radhës por nuk kanë ricikluar zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe standardi që ne ofrojmë është bashkëpunim dhe konstruktivitet. LSI do të jetë në dispozicion të çdo lloj zgjidhje për zgjedhjet, ku shqiptarët të votojnë të qetë,  opozita të vijë e të votojë e qetë, ndërkombëtarët që na mbështesin të votojnë të qetë, dita e zgjedhjeve të mos jetë një gjëmë, por një ditë e mirë ku njerëzit të zgjedhin ata që duan të qeverisin.

Ftesa ime është; le të afrohen të gjithë në standardin e politikë që sjell mirëkuptim. Ai Bulevard që shihni ju ka alternuar palët, por njëkohësisht ka ricikluar problemet. Ne duam që problemet të zgjidhen, jo të riciklohem. Për problemet që opozita ka t’i japim zgjidhje deri në një me çdo lloj sakrifice, por t’i adresojmë në mënyrë të qartë. Nuk i shmangemi dot uljes në tavolinë. Qëndrimet ultimative vetëm radikalizojnë… Nuk e kemi diskutuar brenda qeverisë. Kjo është temë që diskutohet në tavolinat politike.

-A ka gjasa që LSI të largohet nga koalicioni qeverisës?

Vasili: E pëlqej këmbënguljen dhe jeni të palodhur. Ne kemi marrëveshje me Partinë Socialiste. Marrëveshjeve ju qëndrojmë deri në fund në të gjitha rastet. Do të ecim në marrëveshjen me PS-në. Vërejtje ka pasur edhe nga Partia Socialiste edhe për ministra të LSI-së. Ka një dinamikë qeverisëse ku problemet diskutohen dhe nuk riciklohen. Aq më mirë sepse shëndoshet qeverisja. Unë jam në qeveri për të kryer funksionet e mia. Reforma në drejtësi në këtë moment ka nevojë për shumë transparencë. Çdo problematikë që përballet vendit dhe krijon probleme të mëdha të karakterit social. Kultivimi i drogës dhe tonelatat që ndjekim në lajme, patjetër që do të reagojmë. Besoj se kjo i bën mirë të gjithëve.

Akuzat e Kokës për bashkëpunim mes policisë dhe krimit

Vasili: Ministri Koka ka pasur konstatimet e tij. Që drejtues të policisë të implikuar, unë i kam parë në lajme. Kemi parë në Vlorë dhe në qytete tjera që kanë provuar se ka pasur implikim. Duhet marrë seriozisht dhe duhet parë cili është implikimi në Policinë e Shtetit. Shumica e policisë nuk kanë të bëjnë me këtë, por nuk duhet toleruar asnjë person i vetëm.