Transmetuar më 22-02-2017, 19:29

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke drejtuar mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, e ka vënë theksin tek zgjedhjet e 18 qershorit, mbarëvajtja e të cilave ka një rëndësi jetike.

“Zgjedhjet e 18 qershorit janë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe për të nisur reformën në drejtësi, në një terren të sigurtë dhe tërësisht legjitim, pavarësisht rezultateve të forcave politike, përfshirë LSI-në”, ka thënë Meta. 

Ai ka theksuar se, referimi tek opinioni i Komisionit të Venecias dhe konsensusi mes palëve për reformën në drejtësi duhet të shërbejnë si bazë për reformën. “Kjo reformë, që do të kërkojë kohën e saj, për ne ka 3 fjalë kyçe: Kushtetuta, ligji dhe transparenca”, ka shtuar Meta.

Më herët gjatë ditës, në një prononcim për mediat, Meta foli edhe për takimin me kryeministrin Rama, të cilin e cilësoi një takim rutinë pune dhe se në fokus të diskutimeve ka qenë reforma në drejtësi. Ndërsa duke komentuar protestën e opozitës, ai tha se dialogu me opozitën është i rëndësishëm për integrimin europian.

“Nuk dua të hyj në çështje konkrete dhe në çështje specifike. Dy çështje dua t’i nënvizoj. Rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi në mënyrën më kushtetuese, ligjore dhe transparente dhe kjo është e domosdoshme. Dhe së dyti, rëndësinë e dialogut për të garantuar zgjedhjet më të larta të standardeve evropiane më 18 qershor. Kjo kërkon një klimë dialogu dhe bashkëpunimi”, vijoi Meta, duke nënvizuar se rol të rëndësishëm ka edhe opozita.