Transmetuar më 22-02-2017, 16:22

Plot 8 muaj pas supergrabitjes së 980 mijë eurove në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”, Policia e Shtetit ka gjetur një sasi parash që dyshohet se u morën teksa po transportoheshin për në avion.

Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “INTERPOL”-i, Aleks Pepa, i cili u identifikua nga provat shkencore, si shoferi i automjetit që çau rrethimin e Rinasit.

Gjatë një operacioni blic në Elbasan tek shtëpia e një prej të afërmve të Pepës, janë gjetur 50 mijë euro të fshehura brenda një frigoriferi të vjetër. 

I pyetur nga uniformat blu i afërmi i Pepës nuk ka justifikuar posedimin e një shume të tillë parash. Sasia e parave është sekuestruar nga policia dhe do t’i nënshtrohet verifikimeve në bashkëpunim me bankën, e cila ra pre e grabitjes.

42-vjeçari Aleks Pepa, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria pak kohë pas grabitjes, cilësohet si personi kyç për zbulimin e autorëve të tjerë, të cilët mesditën e 30 qershorit të vitit të kaluar realizuan grabitjen e paprecedentë.

Fotoja e tij ndodhet në faqen zyrtare të “INTERPOL”-it, ndërsa edhe kjo grabitje dyshohet se është realizuar nga një grup i strukturuar kriminal me pjesëmarrjen e 5 ose 6 personave./b.l/noa.al/