Transmetuar më 22-02-2017, 14:42

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, replikoi ashpër sot me z.Berisha duke i kërkuar që të mos merret me “përralla sorosiane”. Reagimi erdhi pasi ditët e fundit Berisha kishte thënë se George Soros është një rrezik madhor për demokracinë shqiptare.

Berisha kishte akuzuar strukturat shtetërore dhe zyrtarë të BE dhe SHBA si të përfshirë në veprimtarinë sipas tij mafioze të z.Soros.

Pas deklaratës së Fleckenstein, Berisha reagoi duke thënë se “deklaratat e mia për Soros dhe mafien e tij, si nje rrezik madhor per demokracinë shqiptare jane te bazuara jo ne hamendje por ne dokument autentike te pakundërshtueshme nga te gjithe ata qe duan te besojnë te vërtetën”.

Berisha e cilëson Soros si kryespekullantin e planetit dhe shton: “Soros përfaqëson sot miliarderin qe ka korruptuar me shume se kushdo tjetër mbi tokë politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare ne vendet ish-komuniste por edhe ne vende te tjera. Ai ka korruptuar gjithashtu individë dhe grupe ne institucione serioze ndërkombëtare te vendosura ne kryeqytete te vendeve te ndryshme përfshi këtu Berlinin”, – thotë z.Berisha.

Ish kryeministri kritikoi deklaratën e z. Fleckenstein duke thënë se “jo hedhja poshtë me apriori apo paragjykime te zërave qe kërkojnë te nxjerrin ne shesh një te vërtete tronditëse, por hetimi me transparence nga Parlamenti Europian dhe parlamente te vendeve te interesuara duhet te ishte përgjigja e duhur”.

Më herët sot, deputeti i Parlamentit Europian, Fleckenstein dha këtë koment për ish kryeministrin: “Kam shumë respekt për Berishën, por do të doja që t’i kërkoja të mos fliste më për këto përralla sorosiane, e njëjta histori që kam dëgjuar edhe në Maqedoni. Zoti Berisha nuk është i dobët”. /noa.al/