Transmetuar më 22-02-2017, 14:39

Qeveria do të fshijë gjobat dhe kamatvonesat të periudhës para dhjetorit të vitit 2010. Ky lajm i mirë është dhënë mesditën e sotme nga ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Në një konferencë për shtyp, Ahmetaj tha se pjesë e kësaj skeme lehtësuese do të jenë edhe gjobat dhe kamatvonesat për periudhën 2010-2014, të cilët po ashtu do të fshihen. Nga ana tjetër Ahmetaj tha se do të falen edhe taksat dhe gjobat për makinat të periudhës para viti 2010.

“Gjobat dhe kamatvonesagt para dhjetorit 2010 fshihen. Po ashtu fshihen gjobat për periudhën 2010-2014. Falen taksat dhe gjobat për makinat, para 2010. për periudhën janar do të aplikohet fshirja e gjobave me kamatvonesë, për parkimin dhe kontributin. Nuk përfitojnë nga ky ligj subjekte tatimore që akuzohen për kontrabandë dhe kanë pasur evazion fiskal. Fshirja e detyrimeve pa kushte shkon gati 30 miliard lekë për periudhën para vitit 2010.

Ky ligj vjen me vullnet të plotë politik të aleancës së qeverisë për të lehtësuar tatim-paguesit dhe për të krijuar një balancë për atë betejë që sot vazhdojmë kundër informalitetit. Po ashtu për të krijuar kushtet financiare për një marrëdhënie të re me sipërmarrje. Ky ligj është një premtim i mbajtur dhe një ligj që lejon qartë dhe do të krijojë lehtësi në terrenin fiskal dhe ekonomik të vendit", tha Ahmetaj.

Po ashtu ministri ndau një tjetër lajm të mirë me publikun, ndërsa deklaroi se sot Këshilli i ministrave kaloi vendimin për rritjen e pensioneve. "Lajm tjetër i mirë për pensionistët pasi sot Këshilli i Ministrave kaloi vendimin për rritjen e pensioneve. Ndaj në 2 mars do të nis rritja. Kjo vjen në favor të pensioneve dhe familjeve në nevojë. Projekti social vazhdon", përfundoi Ahmetaj. /noa.al/