Transmetuar më 22-02-2017, 14:23

Pasi eurodeputeti Knut Fleckenstein bëri deklaratën e tij nga Tirana për situatën në Shqipëri ku ndodhet për një vizitë 3 ditore, ka ardhur edhe reagimi më i fundit nga komisioneri europian për zgjerimin, Johannes Hahn.

Ai shpreh keqardhje për bojkotin e parlamentit nga opozita, duke theksuar se bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit.

“Shpreh keqardhjen për bojkotin parlamentar të opozitës. Debati politik duhet të ndodhë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i domosdoshëm për ambicien e vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Në veçanti, është me rëndësi të madhe ruajtja e vazhdimësisë parlamentare në kohën e reformave mjaft thelbësore që janë në agjendën e Parlamentit, si ajo e ngritjes së organeve të vettingut në kuadër të reformës në drejtësi, dhe reforma elektorale, përfshi dhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR të cilat janë esenciale për të siguruar më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto reforma janë të domosdoshme për Shqipërinë që të ecë drejt rrugës së integrimit në BE”, shprehet Hahn. /noa.al/