Transmetuar më 22-02-2017, 13:47

Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, do të udhëtojë drejt Ballkanit nga data 1 deri në 4 mars. Kryediplomatja europiane do të vizitojë gjatë këtij rrugëtimi të saj Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Përpara vizitës, shefja e diplomacisë së bllokut, njëkohësisht zv/Presidente e Komisionit Europian, u shpreh se për BE-në, puna me Ballkanin perëndimor, një rajon ky në zemër të Europës, mbetet prioritet kyç. Unë, tha Mogherini, punoj që t’i shoh secilin prej partnerëve tanë nga Ballkani perëndimor të lëvizin përpara në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian, për tu siguruar që procesi do të jetë i pakthyeshëm.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten elemente thelbësore. Gjatë ndalesës së saj në rajon, Mogherini do të takohet me autoritete që përfshijnë përfaqësuesit qeveritarë, ata të partive politike dhe të parlamenteve përkatëse.