Transmetuar më 22-02-2017, 13:17

Mijëra banorë të Njësisë Administrative Nr.7, që jetojnë në zonën e ish Fushës së Aviacionit, nuk do u duhet të ecin kilometra në këmbë për të arritur në qendër apo në zona të tjera të Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka mbajtur premtimin duke plotësuar një kërkesë të hershme të banorëve të zonës, duke vënë në funksion një linjë të posaçme autobusësh urbanë, e cila do të jetë zgjatim i linjës ekzistuese Materniteti i Ri-Qendër. Veliaj tha se linja ekzistuese ka pësuar rritje në flotën e automjeteve, duke rritur frekuencën e mbërritjes në stacione.

“Mbajmë një premtim që e kishim bërë për banorët e njësisë 2 dhe 7. Këtu jemi në fund të ish Fushës së Aviacionit, i cili mund të kishte që para rënies së komunizmit që s’kishte parë autobusë. Është risi, kemi sjellë një linjë të re, e cila nga 11 autobusë i ka çuar në 17 mjete, për t’u siguruar që nga periferia afër Depos së Ujit në zonën e “Mihal Gramenos” e Maternitetit të Ri, deri këtu në zonën e ish Fushës së Aviacionit, duke kaluar kryq e tërthor Tiranës, përmes “21 Dhjetorit” dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, u shërbejnë mijëra banorëve vetëm me një biletë. Më parë qytetarët duhet të ndërronin dy linja dhe paguanin dy bileta për të njëjtën distancë. Linja është e re dhe do të ketë një frekuencë çdo 10 minuta”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se për të krijuar infrastrukturën e duhur që kjo linjë të funksionojë lirisht dhe pa vonesa do të bëhen edhe disa ndërhyrje të nevojshme në zgjerimin e rrugëve dhe heqjen e pengesave në pikat ku ka vështirësi.

“Kemi njësuar abonenë, autobusët janë më të vegjël, duke pasur parasysh që është një zonë e mbindërtuar, me rrugica të ngushta. Kjo është edhe arsyeja pse do të bëjmë disa ndërhyrje, prishje të ndërtimeve pa leje dhe ndalime të parkimit në rrugë ku kalon autobusi. Bizneset e lavazhit apo gomisterive që dalin përtej territorit të tyre, duke rregulluar apo larë makina në rrugë, duhet të na mirëkuptojnë se në fakt rruga është hapësirë publike”, tha Veliaj./b.l/noa.al/