Transmetuar më 22-02-2017, 12:13

Photo: ©FAO/Gent Shkullaku

Marrja pjesë në një biznes agro-ushqimor mund të jetë e volitshme për gratë në zonat e varfra rurale të Shqipërisë. Një studim i ri i kryer nga FAO, dhe i paraqitur në një konferencën e sotshme, identifikon disa ide biznesi, shqyrton zinxhirët e vlerave dhe tregjet me potencial për të përmirësuar të ardhurat e grave në këto zona.

Shqipëria sot është klasifikuar si një vend me të ardhura mesatare, por përparimi ekonomik nuk ka qenë i shpërndarë në mënyrë të barabartë. Papunësia afatgjatë vazhdon, me një normë prej 10-11 për qind të fuqisë punëtore, dhe është më e lartë në zonat rurale, duke prekur më shumë se këdo femrat në këto zona.  

Duke përdorur një qasje të studimit të zinxhirit të vlerës dhe duke pasur parasysh anën gjinore, studimi zgjedh tre zinxhirët e vlerave për analizë më të thellë: prodhimi i bimëve mjekësore aromatike, bletari dhe ushqime tradicionale dhe “gourmet”. Gjithashtu janë shqyrtuar mundësi në turizëm dhe akuakulturë.

Bletaria dhe prodhimi i mjaltit janë praktikuar gjithnjë nga fermerë të vegjël në Shqipëri, por në një shkallë të vogël. Kërkesa brenda dhe jashtë vendit vazhdon të rritet, por ka nevojë për një cilësi më të mirë të paketimit të produktit, promovim dhe shpërndarje.

Studimi sugjeron se marketingu dhe aktiviteti i shpërndarjes së produkteve mund të ofrojnë mundësi të diversifikimit të të ardhurave për gratë.

Kërkesa për bimë aromatike mjekësore është në rritje në mbarë botën, për shkak të ndryshimeve në teknologji, jetesë dhe në kërkesën e konsumatorëve. Studimi identifikon mundësitë e eksportit për sherebelën shqiptare, vajra esenciale, çaj i egër dhe produkte të tjera të përdorura për shije, farmaceutikë, kujdesin personal dhe sektorë të tjerë.

Studimi gjeti se ka një kërkesë në rritje dhe potencial për ushqime tradicionale dhe “gourmet”. Produktet përfshijnë reçel frutash, makarona shtëpie "dromka", peshk të tharë, byrek tradicional, turshi, mollë organike të thata, dhe "raki" mani dhe kumbulle, një pije alkoolike lokale. Megjithatë, këto ushqime nuk kanë paketimin e duhur dhe janë prodhuar në vëllime të ulta, që ndikojnë në kosto dhe eficencë.

Në çdo fushë të biznesit, studiuesit shqyrtuan prodhimin, të dhënat e tregut dhe tendencat e tregut. Analiza e zinxhirit të vlerës mbuloi faktorët e të gjithë zinxhirit, hartat, kanalet e marketingut, vlerën e shtuar, dhe modele biznesi me potencial për fuqizimin ekonomik të grave rurale.

"Ne besojmë se të dhënat e mbledhura, si dhe analiza rigoroze e zinxhirëve të vlerave dhe tregjeve, do të jenë të dobishme për politikëbërësit dhe agjencitë e zhvillimit që do të duan të mbështesin fuqizimin ekonomik të grave", tha specialistja gjinore e FAO-s Aroa Santiago Bautista. "Kjo siguron një bazë të fortë për hartimin strategjik dhe ndërhyrjet informuese të orientuara drejt rezultateve."

Studimi është kryer në bazë të një projekti të FAO-s për avancimin e fuqizimit ekonomik të grave të zonave rurale përmes diversifikimit të të ardhurave. Në përputhje me prioritetet kombëtare, objektivat afatgjata janë të mbyllin "boshllëkun gjinor" në zonat rurale, për të përmirësuar jetesën e popullsisë rurale, zvogëlimin e varfërisë dhe zhvillimin e zonave rurale në mënyrë të qëndrueshme. /noa.al/