Transmetuar më 22-02-2017, 10:22

Nuk ishte i kënaqur me paratë që përfitoi si ish i përndjekur politik, 48-vjeçari qëllon me armë zjarri dy vëllezër. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Ushtelenxë të Dibrës dhe policia ka ndërhyrë në kohë për parandalimin e tragjedisë.

Burime bëjnë me dije se një banore e fshatit në fjalë ka telefonuar në sallën operative të Policisë së Dibër. “Alo, policia! Kam dëgjuar të shtëna me armë dhe duhet të vini këtu, në fshati Ushtelenxë”, ka njoftuar gruaja. Pas kësaj policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se shtetasi Veli Zebi, ka qëlluar me armë zjarri nga kati i dytë i  banesës së tij në drejtim të vëllezërve B.N., dhe M.N., të dy banues në Durrës. Ata po kalonin në këmbë para banesës së Zebit.  Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka patur persona të lënduar.

Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor dyshohet se shkaku i konfliktit ka të bëjë me një mosmarrëveshje të lindur më parë,  në lidhje me  mos ndarjen në mënyrë të drejtë të lekëve të përfituara  si e persekutuar politike nga një e afërme e përbashkët e të dy palëve në konflikt. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë,  ndërsa po punohet për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur nga shtetasi Zebi.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar edhe  115 copë fishek luftarak.  Ndodhur në këto kushte Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Veli Zebi, 48 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë, Dibër. Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.  aterialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër  për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake” në banesë, “Mbajtje pa leje të municioneve luftarake”, “Kanosje”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”./ noa.al