Transmetuar më 21-02-2017, 20:54

Raporteri evropian për Shqipërinë, eurodeputeti Knut Flecktenstein i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, kritikoi sot qëndrimet e fundit të opozitës, ku dominon vendimi i Grupit Parlamentar demokrat për të bojkotuar pa afat punimet e Kuvendit, duke pohuar njëkohësisht se është normale të protestosh e të ndryshosh qeverinë.

Në një intervistë televizive mbrëmjen e sotme për TCH, pak orë para se të takohej me liderin e së djathtës, Lulzim Basha, z. Flecktenstein tha fillimisht se PD nuk duhet të bojkotojë Parlamentin”.

“Zoti Basha, – tha eurodeputeti, – duhet të lejojë çdo deputet të jetë në Parlament, të bëjë punën e tij, pasi java e ardhshme është shumë e rëndësishme”. Sipas z. Flecktenstein janë krijuar disa pengesa për reformën në drejtësi ndaj dhe ka vendosur të takohet me Bashën.

“Ne mendojmë se zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi është një nga gjërat më të rëndësishme, e kur shohim pengesa të tilla, duhet të shohim për të gjetur zgjidhje konkrete. Kjo duhet të ndodhë deri në fund të javës së ardhshme, kohë kur do të instalohen komisionet parlamentare për “vettingun” dhe çdo deputet duhet të shkojë të jetë aktiv në punimet e Parlamentit dhe të bëjë punën e tij”, – tha z. Flecktenstein.

Mesazhi u kthye në formë apeli, kur ai shtoi: “Ky është një apel i drejtuar Bashës. Unë mendoj që të protestosh është normale, të ndryshosh qeverinë po ashtu. Të mos shkosh të punosh nuk është aspak normale”. në këtë pikë, eurodeputeti gjerman kishte edhe një këshillë ndaj udhëheqësit të opozitës: “Le të vijojë protestën e tij, nëse dëshiron, por jo të bojkotojë Parlamentin”.

Knut Fleckenstein paralajmëroi edhe se zgjedhjet e lira janë një kusht i panegociueshëm i BE për çeljen e negociatave: “Zgjedhjet janë një kusht i shprehur, por që nënkuptohet edhe pa u deklaruar. Një shtet, i cili nuk arrin të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të përfshihet në negociata për anëtarësim në BE”.

Ndërkohë pas takimit, foli vetëm kreu demokrat Basha.

Ai tha se “diskutuam për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të cilat janë të kërcënuara nga krimi, korrupsioni dhe praktika e shëmtuar e shitblerjes së votës. Zgjedhjet kërcënohen nga mungesa me qëllim e reformës zgjedhore”.

Basha tha se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kurse shpjegoi dhe vendimin e opozitës “për të mos qenë pjesë e një Parlamenti fasadë deri në momentin kur partitë politike në atë Parlament, por edhe partitë politike jashtë atij Parlamenti, të jenë pjesë e një pakti kombëtar për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Por, a do të pranojë PD zgjidhje tjetër përveç qeverisë teknike? Basha është i prerë: “Jo. PD nuk mund të pranojë asnjë fasadë e cila do të sjellë përsëri zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të kapura nga krimi. Zgjedhje me kriminelë ne nuk do pranojmë. Ky është një vendim jo thjeshtë i PD, jo thjeshtë i opozitës, është një vendim i madh i qytetarëve, një konsensus që sa vjen edhe rritet, që kalon kufijtë e PD apo të opozitës”.

“Ka dy rrugë: Ose do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie që i garanton ato, ose populli e qytetarët do të vazhdojnë qëndresën derisa kjo të bëhet realitet”, – shtoi z.Basha, duke theksuar “”Zgjedhje nuk do të ketë. PD, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, nuk do të lejojë zgjedhje me krim, korrupsion dhe drogë. Ky është një vendim i marrë dhe ne kësaj do t’i shkojmë deri në fund”. /noa.al/