Transmetuar më 21-02-2017, 15:15

Pjesa e parë e ditës do të jetë në ndikimin e motit të kthjellët në të gjithë vendin, herë pas here do të ketë kalime vranësirash të lehta, kryesisht në zonat juglindore të vendit.

Parashikohet që kushtet e qëndrueshme atmosferike të vijojnë edhe gjatë orëve të pasdites duke bërë që moti i kthjellët të jetë dominant në të gjithë territorin shqiptar. Në orët e vona të natës priten sërish vranësira të lehta e kalimtare nëpër të gjithë vendin, më të dukshme në zonat veriore e qendrore.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale të ditës. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi jugperëndimor dhe për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.

Europa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në veri- veriperëndim të Europës do të kushtëzojë në këto rajone mot të paqëndrueshëm. Konkretisht: vranësira dhe shira me intensitet të lartë të shoqëruar me stuhi të forta ere do të mbetet moti për Ishujt Britanike ndërsa reshje të dendura dëbore do të bien në gadishullin Skandinav.

Përsa i përket Europës qendrore moti do të jetë kryesisht i vranët. Ndërsa me diell do të paraqiten: gadishulli Iberik, Mesdheu si edhe gadishulli Ballkanik./b.l/noa.al/