Transmetuar më 21-02-2017, 12:05

Pak ditë pasi Prokuroria nisi hetimin për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kreu i saj i është drejtuar me një letër krerëve të shtetit si dhe disa prej përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë.

Në letrën e siguruar nga “News24” që mban firmën e kreut të KQZ-së, Denar Biba thuhet se “e gjithë veprimtaria jonë për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit është kryer dhe do të vijojë të kryhet me përgjegjshmëri të lartë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi”.

Bashkëngjitur me letrën Biba dërgon edhe informacionin e detajuar rreth procesit të verifikimit nga KQZ, të formularëve të vetëdeklarimit. Letra i dërgohet Presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, Kreut të Kuvendit Ilir Meta, ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt si dhe kreut të zyrës së KiE-s në Tiranë, Claus Neukirch.

Më 16 shkurt 2017, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal ndaj KQZ-së, duke e akuzuar për shkelje ligjore si për rastin e deputetit socialist Armando Prenga, ashtu dhe për dy kryetarë bashkie. KQZ u akuzua nga Prokuroria për shkelje të ligjit, duke pranuar deklarime jashtë afateve dhe për mosbashkëpunim. Oficerë të policisë gjyqësore nga Prokuroria e Tiranës sekuestruan pranë KQZ-së të gjithë dokumentacionin. Sipas prokurorisë, KQZ ka shkelur ligjin duke lejuar të zgjedhurit të dorëzojnë një formular të dytë një muaj përtej afatit ligjor.

Letra

Duke vlerësuar gatishmërinë dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ju personalisht dhe institucionet që ju drejtoni i keni dhënë KQZ-së në punën e saj, në funksion të përmirësimit të standardeve zgjedhore të kërkuara, nisur nga disa pretendime të ngritura së fundmi nga Prokuroria e Përgjithshme, po Ju dërgojmë bashkëlidhur informacionin e detajuar rreth procesit të verifikimit nga KQZ, të formularëve të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike’.

 Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju siguron se, e gjithë veprimtaria jonë për zbatimin e ligjit të ‘dekriminalizimit; është kryer dhe do të vijojë të kryhet me përgjegjshmëri të lartë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e legjislacionit në fuqi.

Duke Ju falënderuar për bashkëpunimin, Me respekt Denar Biba, Kryetar i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve