Transmetuar më 21-02-2017, 11:09

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka zhvilluar takimin e parë me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin, në kuadër të vizitës së tij tri ditore në Tiranë.

Gjatë një prononcimi të shkurtër për gazetarët, pas takimit me Vlahutin, duke iu referuar protestës së opozitës, Fleckenstein tha se protesta e PD-së duket e qetë. Por, ai gjykoi se “vendi i çdo force politike është në Kuvend”.

I pyetur nga mediat nëse do të diskutojë me palët për protestën, Fleckenstein tha: “Protesta duket e qetë. Vendi i çdo force politike është në parlament.Do takoj Bashën dhe do diskutojmë, por nuk do negocioj”.

Eurodeputeti është takuar me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin dhe bashkë me të është nisur drejt Kryeministrisë për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama.

Më pas, ai do të takohet me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe më Ministren e Integrimit Klajda Gjosha.

Mësohet se Fleckenstein ka parashikuar një takim gjatë pasdites dhe me liderin e opozitës Lulzim Basha, por nuk ka një orar të përcaktuar. Takimi pritet me interes në një kohë që opozita ka hyrë në ditën e katërt të protestë.