Transmetuar më 21-02-2017, 08:35

Ditën e sotme protesta e opozitës e cila ka ngritur një çadër përballë Kryeministrisë ka hyrë në ditën e katërt.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk ka kthim pas deri në rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor.

Ai ka theksuar se PD nuk ka negociata me LSI, por shtoi se çdo faktor politik shqiptar që ndjen përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë, që nuk është i mbyllur në bunkerin e konfliktit të interesit me qytetarin shqiptar, në bunkerin e krimit, në bunkerin e korrupsionit, në bunkerin e drogës, sot duhet të marrë përgjegjësi.

Nga ana tjetër Ilir Meta theksoi një ditë më parë se çdo protestë që kërkon standard në zgjedhje meriton vëmendje, por jo ultimatum.

“Çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare është për tu respektuar dhe çdo kërkesë që kërkon  garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë është një kërkesë që meriton vlerësim dhe dialog, larg ultimatumeve”, u shpreh Meta. 

Më tej ai shtoi se “opozita nuk është matanë dritareve, por është këtu sepse ky është Parlamenti i të gjithëve dhe në radhë të parë i opozitës”.