Transmetuar më 20-02-2017, 21:22

Për nënkryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vendimi për bojkotimin e seancave plenare apo Komisioneve Parlamentare nga Partia Demokratike nuk është një lajm i ri. 

“Është një lajm që është paralajmëruar kohë më parë, sepse të gjithë e kemi ditur që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, një pjesë e deputetëve të kësaj partie nuk janë dhe nuk duan që të jenë pjesë e funksionimit normal të Parlamentit, në këto javë kur pritet të ngrihen Komisione të Posaçme në kuadër të funksionimit dhe implementimit të plotë të procesit të Vettingut”, – tha sot z.Balla në një dalje për mediat pasi u mblodh grupi i PS.

“I njëjti lajm është paralajmëruar më shumë se një muaj më parë kur opozita, pra Partia Demokratike filloi bojkotimin e Reformës Zgjedhore. Ju kujtoj se në atë kohë protesta u thirr gjoja për numërimin dhe votimin elektronik. Mirëpo, sot Partia Demokratike nuk flet fare për këto dy çështje; sot PD flet vetëm për largim qeverie, për lloj-lloj qeverish teknike, e të tjera me radhë, që nuk kanë fare punë lidhur me modelin funksionimit të demokracisë që kemi zgjedhur në Shqipëri”, – vijoi z.Balla.

“Kemi pranuar prej më shumë se 25-vjetësh që në Shqipëri, ashtu sikurse në të gjitha vendet e tjera qeveritë caktohen nga populli, qeveritë zgjidhen me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Më 18 qershor qytetarët shqiptarë do të rithirren përsëri për të caktuar se kush do t’i qeverisë”, – shtoi ai.

Duke vlerësuar se opozita hyri në protesta që të pengojë reformën në drejtësi, z.Balla tha se “pa Vetting, pa implementimin e plotë të reformës në drejtësi Shqipëria nuk mund të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian”.

“Kështu që, kjo mjafton për t’i dhënë të kuptojë çdo qytetari të thjeshtë që është ngritur nga shtëpia e tij dhe ka ardhur në Tiranë për të protestuar. I them që të protestosh kundër reformës në drejtësi, nuk është në shërbim të Shqipërisë”, – shtoi ai.

“Ata pak drejtues të Partisë Demokratike, që mesa duket e kanë lidhur vendimin e tyre politik me kundërshtimin e reformës në drejtësi, duhet të kuptojnë që kështu nuk punohet në interes të Shqipërisë, por për interes të mos hetimit, të mos ndëshkimit të të gjithë veprave korruptive që janë kryer në këtë vend”, – vijoi z.Balla. 

***

Mungesa e opozitës në Parlament pengon ngritjen e organeve të Vettingut. Këtë e pohon edhe z.Balla, kur thotë se “bojkoti i Partisë Demokratike në të gjitha komisionet sjell një bllokim”.

Ai paralajëron se “Shqipëria dhe shqiptarët nuk do t’ia falin kurrë PD-së nëse ajo do të bëhej njësh me korporatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të mbajtur në këmbë sistemin e vjetër të drejtësisë së kalbur, të drejtësisë së shitur, të drejtësisë së korruptuar”.

Por, mazhoranca do t’i votojë e vetme emrat e Vetting-ut apo do të presë opozitën? Balla ka këtë koment: “Të mbash peng grupin tënd parlamentar, në një çadër feste që ngjan me një birrari, për të mos i lënë ata të bëjnë punën e tyre kushtetuese në sallat e Kuvendit të Shqipërisë e kjo është mëse e qartë për çdo shqiptar që e kupton që çadra e birrës dhe e picave nuk është më në funksion të interesave të një proteste, por është një çadër në funksion të interesave të atyre që duan të pengojnë ecjen përpara të Reformës në Drejtësi”. /noa.al/