Transmetuar më 20-02-2017, 20:56

Mbështetja për shtresat në nevojë ishte fokusi i mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Për vitin 2017, Bashkia e Tiranës do të japë 1.000 kredi të buta për familjet e reja apo në vështirësi ekonomike, për të mundësuar lehtësimin e strehimit të tyre.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot kriteret e reja të programit social të strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë”.

Votave pro të këshilltarëve të PS-së iu bashkuan edhe këshilltarët e LSI-së dhe të PDIU-së, të cilët e vlerësuan si një nismë tepër pozitive.

Përfitues potencialë të programit do të jenë individët/familje me në përbërje çifte të reja, me synim përmirësimin e kushteve të cilësisë së jetesës së tyre.

Programi do të ketë një kohëzgjatje një vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve, të cilët do të mbështeten financiarisht, do jetë rreth 1.000 familje.

Financimi i programit është parashikuar tashmë në buxhetin e vitit 2017 në shumën 95 milionë lekë dhe masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga ky program, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar me bankën, me interesin prej 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky program do të ketë një impakt pozitiv edhe në ekonominë e Tiranës.

“Sot kemi mbërritur në një produkt konkret që ka të bëjë me kreditë e buta. Është zhbllokim i një procesi që prej disa vitesh ishte pezulluar prej falimentit të bashkisë, prej faktit se shumë prej ish deputetëve dhe ish zëvendësministrave, ish zyrtarëve, abuzonin me kreditë e buta. Dua shumë që ky projekt të funksionojë sepse nëse funksionon, na mundëson që të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe në të ardhmen”, tha Veliaj. /noa.al/