Transmetuar më 20-02-2017, 19:31

Në ditën e tretë të protestës së opozitës përpara godinës së Qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se nuk do të ketë kthim prapa nga kërkesa për një qeveri teknike e cila të mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke folur nga tenda e madhe para zyrave të kryeministrit Edi Rama, ku që prej së shtunës mbështetësit e opozitë dhe udhëheqësit e saj qëndrojnë të mbledhur, zoti Basha theksoi se vendimi tanimë është marrë nga qytetarët.

“Unë nuk kthehem nga kjo rrugë pa fitoren që ju kam premtuar: Zgjedhje të lira ka e do të ketë vetëm me një qeveri pa Edi Ramën kryeministër”, u shpreh zoti Basha.

Sot është 26-vjetori i rrëzimit në Tiranë të monumentit së ish diktatorit komunist Enver Hoxha, pas grevës së urisë të studentëve shqiptarë. Zotit Basha bëri një paralele mes zhvillimeve të asaj kohe dhe protestës së sotme të opozitës.

“Më parë, studentët e dhjetorit dhe intelektualët ja dolën ti shkëpusnin të drejtën e pluralizmit politik, por për dy muaj me radhë kjo e drejtë mbeti nën hijen e diktatorit. Greva e urisë ishte kundër pluralizmit fasadë”, theksoi zoti Basha.  Kurse shtoi: “Sot, jemi këtu sepse njësoj si para 26 vitesh bijtë e etërve duan të zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me një demokraci fasadë. Demokracia fasadë është e keqja të këqijave, sepse pas saj gëlojnë kriminelë me pushtet, njerëz të dënuar për drogë prostitucion e vrasje, të cilët sot janë bërë deputetë e kryetarë bashkisë. Shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë, ekonomi fasadë, parlament fasadë. Shqiptarët janë ngritur për demokracinë dhe lirinë e vërtetë dhe kjo arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, nënvizoi kreu i opozitës.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, ashtu si dhe dje në komunikimin e tij javor, ka përsëritur dhe sot se sipas tij “PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës, por ne s’kemi ç’bëjmë”.

“Kërkojnë gjëra që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bëjë me zgjedhjet të adresohet në komisionin e reformës zgjedhore. Madje kemi thënë se çdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE/ODIHR jep mbështje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”, – shtoi z.Rama.

Sipas kryeministrit qëllimi i vërtetë i opozitës, është bllokimi i Reformës në Drejtësi. “Bojkoti i parlamentit është një mekanizëm i qartë për të bllokuar përzgjedhjen e komisioneve të vetingut, që duhet të fillonte javën e ardhshme. Formulat janë të tilla që të dyja komisionet e vetingut, qoftë shkalla e parë, qoftë Apeli. nuk formohen dot pa opozitën. Nëse bojkoti nuk do kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vetingun. Por bojkoti është prova që gjithçka ka të bëjë me vetingun”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë së tij.

Meta: Duhet dialog

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta foli sot për herë të parë mbi protestën e opozitës dhe kërkesën direkte të liderit Lulzim Basha dhe ish kryeministrit Sali Berisha që kreu i LSI t’i bashkohet nismës për qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Z.Meta tha se çdo kërkesë duhet të negociohet: “Çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare është për tu respektuar dhe çdo kërkesë që kërkon  garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë është një kërkesë që meriton vlerësim dhe dialog, larg ultimatumeve”.

Meta tha se “opozita nuk është matanë dritareve, por është këtu sepse ky është Parlamenti i të gjithëve dhe në radhë të parë i opozitës”.

Meta shtoi se “mos u shqetësoni pasi për këtë gjë do kemi ditë, kjo nuk është konferenca e fundit”.

Kurse pohoi se do të takohet me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe kreun e grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Këto pohime, z.Meta e bëri në konferencën e përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ndodhet në Tiranë dhe do të takohet edhe me kryetarin e PD, Lulzim Basha, si dhe kryetarin e grupit parlamentar Edi Paloka. 

Tahiri

“Sot janë në një çadër në shesh ish-kryeministri 27 vjet kalaqafë këtij populli dhe ministrat e tij deri para tre vjetësh, që sot i thonë popullit “Ne duam të vijmë prapë në pushtet”. Dakord. Deri dje kërkonin zgjedhje të parakohshme. Sot duan që zgjedhjet të shtyhen. Deri dje ishin në pushtet. Sot u lodhën dhe bërtasin me të madhe “Duam të vijmë prapë në pushtet”. Deri dje, sot dhe në vijim ata do vazhdojnë të refuzojnë Reformën në Drejtësi.

E vetmja që duan është ta shtyjnë të mos bëhet kurrë Reformë në Drejtësi: gjyqtarët dhe prokurorët të mos kalojnë kurrë Vetting-un – pra sistemin që kontrollon si e bën pasurinë, si janë sjellë në detyrë, çfarë padrejtësish kanë bërë, dhe të dallojnë kush meriton të jetë në sistemin e drejtësisë e kush nuk meriton, kush do të jetë në të ardhmen prokuror dhe gjyqtar që do vendosë mbi bazën e të drejtës dhe të ligjit për fatin e Shqipërisë dhe jo mbi bazat e pushtetit, muskujve, parave e korrupsionit.   E vetmja që nuk duan është reforma në sistemin e drejtësisë. E vetmja gjë që nuk duan të ndodhë është që Shqipëria të jetë nesër më e drejtë. E vetmja gjë që duan është të mbajnë peng  Shqipërinë. Ndaj sot jemi në këtë pikë, ku ajo çadër nuk është çadër. Është bunkeri i të gjithë atyre që duan të mbajnë peng drejtësinë.  Është bunkeri i të gjithë ish-pushtetarëve dje, ish-drejtorëve dje, ish-ministrave dje që sot duan prap pushtet për të mbajtur peng sistemin e drejtësisë. Ne kemi vetëm një ofertë, që nuk është oferta jonë por është oferta e shqiptarëve: tryeza për reformën në sistemin e drejtësisë. Aty ose bashkohemi, ose ndahemi. Ose e duam Shqipërinë më të drejtë, ose ne nuk lejojmë të kthehemi pas. Ose duam të garantojmë për të rinjtë dhe të rejat në vend një Shqipëri më të drejtë, më të barabartë, me më shumë mirëqenie, ose ne nuk pranojmë të kthehemi pas. Ajo është e vetmja tryezë që garanton ç‘lloj Shqipërie duam. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht i domosdoshëm që me të drejtë mund të na e përmendë kushdo. Por ka një tryezë ku trajtohet kjo çështje: është tryeza e reformës në sistemin zgjedhor. Ajo është një tryezë tjetër ku opozita mund të vijë, të lërë mënjanë bojkotin, dhe të bie dakord për gjithçka duhet të bëjmë që zgjedhjet të jenë më të lira dhe se zgjedhjet e kaluara. Por në asnjë vend të botës demokratike nuk mund të çohet ish-qeveria dhe të thotë “Unë dua të jem prap në pushtet” apo akoma më keq të përcaktojë se kë do ketë kundërshtar. Sepse këtë po thonë: “Ikni ju, të vijmë ne! Të ikë Edi Rama, të vijmë ne!”. Kjo nuk lejohet.

Miqtë e mi, ne kemi një sfidë shumë të madhe, të punojmë secili për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Asgjë që ndodh rreth nesh nuk është kurrë aq larg sa të duket sikur s’na prek. Gjithçka që ndodh dhe që mund t’ju duket sikur ndodh në bulevard në  Tiranë, aty te ajo çadra apo kudo të jetë, nuk është kurrë aq larg sa të mos na prishë të ardhmen, nuk është kurrë aq larg sa të mos prishë të ardhmen tuaj. Ndaj ne duhet të bëhemi bashkë, për të garantuar gjithçka na takon, gjithçka që na e kanë borxh nga e kaluara dhe gjithçka duhet të ndërtojmë vetë për të ardhmen. Dhe ka vetëm një rrugë, reforma në sistemin e drejtësisë. Ne duhet të kemi gjyqtarë të mirë, prokurorë të mirë, administratë të mirë që u shërbejnë qytetarëve dhe që nuk ndrydhin të ardhmen tuaj dhe të të rinjve, por që u hapin rrugë meritokracisë e më të aftit. Për këtë arsye duhet reforma në sistemin e drejtësisë. Për të bërë gjithçka nuk kemi bërë për faj të atyre që sot janë në bunker. Për të bërë gjithçka që duhet të bëjmë për të pasur një Shqipëri më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë.

Tahiri i përgjigjet opozitës: Oferta jonë e vetme është tryeza në reformën e sistemit të drejtësisë

Pas bashkëbisedimit, ministri dha dhe këtë prononcim për mediat:

Ministri Tahiri: Është e papranueshme që të çohen ish-ministrat e Saliut dhe të thonë: “Tani duam të vijmë në pushtet”. Ashtu si është e papranueshme që në një sistem demokratik të çohet opozita dhe të thotë “Dua të zgjedh kundërshtarin, nuk dua këtë por dua atë”. Siç është akoma më e papranueshme qëllimi i gjithë kësaj që po ndodh: pengimi i reformës në sistemin e drejtësisë. Pengimi i Vetting-ut, pengimi i sistemit që do të skanojë e verifikojë gjithçka kanë bërë prokurorët dhe gjyqtarët në të kaluarën. Dhe ajo çadra që sot është bunker, sot mbron ish-pushtetarët që duan të mbajnë peng Shqipërinë nga reforma në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është e patolerueshme. Oferta jonë e vetme është tryeza në reformën e sistemit të drejtësisë. Bujrum, le të vijnë të çojmë përpara reformën në sistemin e drejtësisë. Shqipëria do të bëhet më e mirë vetëm në këtë mënyrë. Por askush nuk mund të mbajë peng Shqipërinë apo reformën në sistemin e drejtësisë. Jo me çadra, por as me bunker.

Pyetje: I trembeni kësaj lëvizje, z. Ministër? Ministri Tahiri: Për ne është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë të qartë kujtdo se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të vazhdojë patjetër. Opozita mund të ketë shumë meraqe. Meraku më i madh i shqiptarëve është që të kemi një sistem drejtësie shumë më të drejtë, të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar, të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë peng i asnjë pushtetari, i parasë apo muskujve. Ne na duhet – dhe shumicës dërmuese të shqiptarëve i duhet – që ne të bëjmë gjithçka është e nevojshme që Shqipëria të ketë një sistem drejtësie shumë më legjitim dhe shumë më të drejtë. Nëse opozita kërkon të pengojë këtë, mua më vjen shumë keq, pasi kjo nuk është as axhenda e shqiptarëve dhe aq më pak axhenda jonë.

***

Situata e nderë politike koinçidon me vizitën që nis sot në Tiranë relatori për Shqipërinë në parlamentin europian Knut Fleckenstein. Procesi zgjedhor i qershorit ishte një nga pikat e rezolutës së miratuar javën e shkuar nga PE, dhe zoti Fleckenstein pritet të diskutojë me palët dhe për gjendjen e krijuar pas vendimit të opozitës për një qeveri teknike.