Transmetuar më 20-02-2017, 18:10

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta foli sot për herë të parë mbi protestën e opozitës dhe kërkesën direkte të liderit Lulzim Basha dhe ish kryeministrit Sali Berisha që kreu i LSI t’i bashkohet nismës për qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Z.Meta tha se çdo kërkesë duhet të negociohet: “Çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare është për tu respektuar dhe çdo kërkesë që kërkon  garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë është një kërkesë që meriton vlerësim dhe dialog, larg ultimatumeve”.

Meta tha se “opozita nuk është matanë dritareve, por është këtu sepse ky është Parlamenti i të gjithëve dhe në radhë të parë i opozitës”.

Meta shtoi se “mos u shqetësoni pasi për këtë gjë do kemi ditë, kjo nuk është konferenca e fundit”.

Kurse pohoi se do të takohet me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe kreun e grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Këto pohime, z.Meta e bëri në konferencën e përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ndodhet në Tiranë dhe do të takohet edhe me kryetarin e PD, Lulzim Basha, si dhe kryetarin e grupit parlamentar Edi Paloka. /noa.al/