Transmetuar më 20-02-2017, 15:07

Protesta e opozitës ka qenë tema kryesore në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama mësohet se u ka kërkuar deputetëve që të mos merren me komente në rrjetet sociale për protestën e opozitës.

Burimet bëjnë të ditur se porosia ka qenë e prerë për deputetët: të dalin në zonat ku janë caktuar së bashku me të deleguarit e qarqeve për të takuar qytetarët.

“Opozita po na kërkon gjëra që nuk varen nga ne. Ne s’kemi çfarë ndryshojmë. Duhet të vazhdojmë normalisht detyrat tona qoftë në Parlament, qoftë në qeveri. Praktikisht protesta është organizuar për qëllime që nuk thuhen nga ana e tyre, por që dihen. Edhe bojkoti i Parlamentit është një mekanizëm i qarte për të bllokuar përzgjedhjen e komisioneve të vetingut, që duhet të fillonte javën e ardhshme.Formulat janë të tilla që të dyja komisionet e vettingut, qoftë shkalla e parë, qoftë apeli nuk formohen dot pa opozitën.

Nëse bojkoti nuk do kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vettingun. Por bojkoti është prova që gjithçka ka të bëj me vettingun. PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës, por ne s’kemi ç’bëjmë. Ata kërkojnë gjera që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bej me zgjedhjet të adresohet në komisionin e Reformës Zgjedhore. Madje kemi thënë se çdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE/ODIHR jep mbështetje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”, mësohet se ka thënë Rama.

Një ditë më parë kreu i qeverisë i kushtoi një pjesë të fjalimit të tij në komunikimin javor, protestës së Partisë Demokratike. Gjate tre ditëve të protestës së demokratëve, nuk kanë qenë të paktë deputetët socialistë të cilët kanë ironizuar protestën e PD-së, duke e quajtur një vend ku hahet pica dhe hidhet valle me këngën e Sali Berishës.