Transmetuar më 20-02-2017, 11:45

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka mbajtur një fjalim sërish sot para protestuesve në çadër. Ai e ka lidhur protestën e sotme të opozitës me atë të studentëve të 16 viteve më parë dhe rrëzimin e bustit të diktatotir Enver Hoxha në 20 shkurt të vitit 1991.

Kreu i PD-së tha sot se bijtë e etërve duan të zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me demokracinë fasadë.

"Ndodhem në mesin tuaj sot, në këtë ditë historie ku përjetojmë një nga aktet më të mëdha, rrëzimin e shtatores së diktatorit, vrasjen e frikës dhe hapjen e një rruge perëndimore të Shqipërisë. Dy muaj me radhë, studentët e dhjetorit dhe intelektualët ja dolën.

Jemi këtu sepse njësoj si 26 vite më parë, bijtë e etërve duan ta zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me demokracinë fasadë. Demokracia fasadë është kjo ku para kësaj fasade ndodhet një pakicë absolute që shtyp shumicën, e vjedh dhe ka guxim t’i thotë heshtni. Ku nuk ka demokraci nuk ka përparim. Demokracia fasadë është e keqja e të këqijave, sepse pas saj gëlojnë kriminelët", tha Basha.

Më tej kreu i opozitës u shpreh se "qytetarët po bashkohen dhe nuk kanë më frikë të marrin në dorë fatin e tyre. PD ka marrë një vendim dje në përputhje me zërin tuaj. PD dhe grupi i saj do të zhvillojnë deri në arritjen e objektivave tona për qeveri teknike, aktivitetin parlamentar në sheshin e Lirisë këtu me ju dhe qytetarët shqiptarë.

Ta harrojnë se mund të përdorin të njëjtat truke si paraardhësit e tyre. Sot kanë ofruar përmes mediave të kontrolluara nga kryeministri kokën e Sajmir Tahirit. Ajo është një kokë peshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Ne nuk jemi këtu të pranojmë koka turku dhe pastaj të ulim kokat tona dhe të pranojmë zgjedhje të vjedhura. Mbaje Sajmir Tahirin për vete, zgjidhja është largimi i qeverisë tënde”.