Transmetuar më 20-02-2017, 11:17

Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon të marrë shenjat e gishtërinjve për 6 deputetë.

Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, organi i akuzës avancon hetimet, duke kërkuar të zbulojë nëse personat e dyshuar janë pikërisht të ulur në karriget e parlamentit. Lajmi mësohet nga burime të sigurta të Opinion.al. Gjithashtu është mësuar se e njëjta kërkesë është dorëzuar edhe në KQZ, për 3 kryetar të bashkive që janë subjekte të ligjit të dekriminalizimit.

Emrat e deputetëve që janë në hetim janë publikuar edhe më parë nga media dhe bëhet fjalë për: Artan Gaçen (PS), Armando Prengën (PS), Gledion Rehovicën (LSI), Aqif Rakipin (PDIU), Omer Mamon (PDIU) dhe Mhill Fufin (PD).

Ndërsa kryebashkiakët në hetim janë: Eduard Kapri i Pogradecit (PD), Adriatik Zotkaj i Poliçanit (PS) dhe Termet Peçi i Tepelenës (PS).

Një ditë më parë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në një deklaratë për median tha se 19 deputetë dhe 11 kryebashkiakë janë me probleme penale, por asnjëri prej tyre nuk plotëson kushtet për ti hequr mandatin.

Por sot prokuroria ka vendosur që hetimit të saj t’i shkojë deri në fund. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë mbërritur sot në ambientet e KQZ dhe kanë sekuestruar dosjet e deputetëve dhe kryebashkiakëve që janë nën hetim.