Transmetuar më 20-02-2017, 10:48

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka folur sot nga Shkodra për Reformën në Drejtësi dhe çështjen e trafikut të drogës gjatë analizës së punës së Prokurorisë së Shkodrës për vitin 2016. 

Sipas Llallës, reforma ka mjaft risi edhe për Prokurorinë, duke shtuar se ky proces nuk mund të përdoret nga askush për të imponuar prokurorët në vendimmarrje.

“Do të zgjedhim strukturën e posaçme dhe pritet që prokurorët të jenë të pavarur në punën e tyre. Procesi i vettingut nuk mund të përdoret nga askush për t’i imponuar prokurorëve në vendimmarrjen e tyre. Të gjithë prokurorët duhet të vënë në dijeni prokurorin e Përgjithshëm mbi rastet e procedimeve penale në këtë periudhë", tha Llalla.

Po ashtu, kreu i Prokurorisë së Përgjithshëm tha se zbulimi i rasteve të narkotrafikut është ende i ulët, ndërsa sipas tij ka edhe raste të shpërdorimit të detyrës.

“Problematikë tjetër e ndeshur me hetimet në sektorin e Shkodrës është rritja e numrit të procedimeve penale të shpërdorimit të detyrës. Konstatohet se punonjës shtetërorë abuzojnë detyrën. Ka nevojë dhe më tej për hetime të veprave penale të korrupsionit në tatime e dogana.

Vihet re rritje e abuzimit në këtë drejtim. Ndërsa numri i personave përgjegjës vijon të jetë tepër i ulët. Kërkohet angazhim më i madh nga Prokuroria e Shkodrës, Kukësit në këtë drejtim pasi në këto ndodhen pikat doganore dhe më të rëndësishme”, tha Llalla.