Transmetuar më 20-02-2017, 07:42

Protesta kundër qeverisjes, e organizuar nga Partia Demokratike ka hyrë në ditën e tretë të saj. Qytetarë, përfaqësues dhe militantë të PD-së kanë kaluar natën në çadrën e improvizuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" para Kryeministrisë.

Qëndrimi në çadër do të bëhet me turne, ndërsa brenda saj bëhen diskutime mes qytetarëve dhe deputetëve të PD për problemet që kanë. Ashtu siç është parashikuar dhe vendosur nga grupi Parlamentar i deputetëve të PD në mbledhjen e djeshme dhe me aleatët e saj, duke nisur nga sot do të ketë përshkallëzim të protestës.

Bashkë me Kryesinë e Partisë Demokratike u mor vendimi se opozita nuk do të kthehet në Parlament derisa të arrihet krijimi i qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mësohet se të gjithë deputetët kanë qenë në një mendje për vijimin e protestës deri sa të plotësohen kushtet e PD.

Protesta e opozitës duket sikur po rikthen në skenën politike atmosferën e korrikut të vjetshëm, kur, përveç numrave për Reformën në Drejtësi, secili aktor po llogariste edhe numrat për një qeveri të re. 

Nëse opozita nuk kthehet në Kuvend deri në fillim të marsit, bëhet e pamundur ngritja e menjëhershme e komisioneve parlamentare që do të verifikojnë kandidaturat për Vettingun dhe më pas votimin e tyre.

Ligji përcakton përbërje të barabartë të këtyre komisioneve mes mazhorancës dhe opozitës dhe mungesa e njërës palë, në rastin më të mirë, e shtyn të gjithë procesin.