Transmetuar më 19-02-2017, 20:22

Pediatrët i këshillojnë nënat që duke nisur nga muaji i pestë të fillojnë t’u japin ushqime më të forta foshnjave.

Ky ndryshim në ushqim është më mirë të fillojë me fruta dhe grurë pa gluten (drithëra si orizi dhe misri) e më tej me perimet.

Pasi vendosni të fusni në ushqimin e përditshëm të fëmijës tuaj edhe produktet e tjera veç qumështit, kini parasysh që ta bëni atë përmes një periodiciteti, për shembull një herë në javë.

Kjo do të thotë që ju të fusnin javën e parë një ushqim të ri dhe një javë më pas të shtoni një të dytë e kështu me radhë.

Foshnjës për herë të parë ofrojini disa lugë kryesisht me lëng nga ushqimi i ri që po i jepni dhe më tej rritjani sasinë që i jepni.

Pasi të konstatoni se mund të hajë pa probleme sasi më të madhe mund të konsideroni se ky produkt është pranuar dhe foshnja është e gatshme për ta konsumuar atë rregullisht.

Gjithashtu është mirë që produktin t’ua jepni në orët e mëngjesit, me qëllim që të shmangni që gjatë natës të pësojë probleme me shëndetin nga ndonjë reagim i mundshëm prej ushqimit të ri që ka marrë.

Bëni kujdes që produkti që do të përdorni, fjala vjen një frut apo një perime, të jetë sezonal, të mos jetë i trajtuar me pesticide dhe të jetë në fazën e pjekjes.

Shmangni agrume para vitit të parë të jetës, pasi portokallet, limonat e mandarinat, janë shkaktuesi më i madh i alergjive tek fëmijët.

Mund të filloni me mollën, pasi është e ëmbël dhe tretet lehtë. Kur fëmija ta pranojë mollën pastaj mund ta shtoni në qullin që bëni me qumësht apo në qullin me oriz.

Përveç mollëve, foshnja mund ta pranojë duke e konsumuar lehtë dhe dardhën.

Banania e freskët gjithashtu është e mirë për foshnjën më të madhe se gjashtë muaj, pasi përmban shumë kalium.

Pas muajit të nëntë është koha për kumbulla, të cilat janë veçanërisht të volitshme për foshnjat, të cilat kanë probleme me tretjen.

Më pas mund të vendosni t’u jepni pjeshkë dhe kajsi.

Kajsitë janë të pasura me kalium, betakaroten dhe vitaminë C.

Pjeshkat janë aromatike dhe të pasura me kalium dhe nuk përmbajnë shumë sheqer.

Portokalli, grejpfruti, limoni dhe mandarina janë të pasura me vitaminën C, por gjithsesi foshnjave nuk u jepen shumë herët pasi siç shpjeguam më lart ekziston frika për alergji të mundshme.