Transmetuar më 19-02-2017, 17:31

Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se “qeveria kërkon një mandat të dytë, pasi përmes kësaj qeverie rruga drejt Europës është më afër”, ndërsa shtoi se “protesta e opozitës është shfaqje e frikës së saj ndaj reformës në drejtësi”.

Gjatë komunikimit javor, Kryeministri foli edhe për protestën e opozitës. “Është e drejtë e opozitës të protestojë paqësisht për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kjo tingëllon qesharake, pasi nuk ka asnjë tentativë për të cënuar zgjedhjet”, tha Rama.

“Dje pamë një protestë të thirrur prej kohësh nga opozita dhe vumë re ndryshimin. Edhe transmetimi live i kësaj proteste ishte nënvizim për një shoqëri pluraliste, ku nuk duhet të përsëritet dhuna. Por përveç respektit për njerëzit që protestojnë ngremë një pyetje për udhëheqësit e tyre. Më tingëllon qesharake që këta protestojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi nuk ka pasur ndonjë cënim për tentativë për të cënuar zgjedhjet. Nuk ka ndonjë provë që zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Për më tepër, udhëheqësit e protestës kanë një bilanc politik të dobët në raport me standardet e zgjedhjeve. Pra çfarë është kjo zhurmë për zgjedhjet? Udhëheqësit e kësaj proteste kanë qenë në pushtet dhe shqiptarët kanë përjetuar dhimbje nga kjo qeverisje”, vijoi Rama.

Ai u shpreh se kjo protestë nuk është gjë tjetër por frikë nga drejtësia që po reformohet. “Këtyre opozitarëve ju djeg drejtësia. Kjo qeveri ka prerë fijet me krimin e së shkuarës dhe po drejton vendit drejt Europës dhe nëse doni këtë për veten dhe fëmijët tuaj, duhet të na besoni një mandat të dytë”, tha Rama.