Transmetuar më 19-02-2017, 13:26

Shefi i opozitës Lulzim Basha në ditën e dytë të protestës foli nga çadra e ngritur përpara kryeministrisë. Ai tha se kauza e tyre është e drejtë dhe mbështetja ndërkombëtare po rritet. “Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë po rritet për kërkesën tonë të drejtë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje me një qeveri që do garantojë votën e lirë të qytetarëve, është kërkesa jonë e vetme.

Fitorja do të jetë e juaja dhe e çdo shqiptari. Ne nuk jemi mbledhur këtu për kauzën e Bashës apo të PD, ne jemi këtu për kauzën e çdo shqiptari, për kauzën e fëmijëve shqiptarë. Kjo i ka dhënën kauzës tonë një forcë.

Ne jemi në hapësirën e parë të lirisë tonë, ku qytetarët nuk kanë frikë të thonë të vërtetën, ku hallet dhe problemet tuaja do ti shtroni për ditë dhe pa frikë. Ky është sheshi nga ne nisim projektin tonë, pushtetin e qytetarëve.

Përballë nesh kemi një fasadë, një fasadë nga mjeshtri i fasadave. Fasada dhe bojë përpara, rrëmujë dhe kaos nga prapa

Nuk ka kthim pas, ka vetëm ecje para drejt demokracisë. Nga ky shesh çdo shqiptar, do të mund të vijë këtu dhe halli i saj nuk do jetë i harruar por do dëgjohet nga ky shesh dhe nga gjithë Shqipëria, ky shesh është fundi i demokracisë fasadë dhe fillimi i demokracisë së vërtetë”, tha Basha. /noa.al