Transmetuar më 19-02-2017, 12:05

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u bazuar në ligjin për dekriminalizimin, ka arritur në përfundimin se 19 nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë precendetë kriminalë.

Përmes një konference për mediat zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, bëri me dije se 19 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, kanë shënime dhe deklarime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore, ndërsa pjesa tjetër janë të pastër.

Ndërkohë sipas KQZ-së, edhe 11 kryebashkiakë nga 61, kanë probleme me ligjin. “Nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave që nuk janë deputetë, nuk ka asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore”, shtoi gjithashtu zëdhënësja.

Sa u përket kryebashkiakëve, nga 61 kryetarë bashkie, 11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. KQZ ka verifikuar edhe 1.595 anëtarë të Këshillave Bashkiakë, që kanë dorëzuar formularët, të cilat janë bërë publike në mbledhjet e KQZ-së.

“Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim; me vendim të formës së prerë; për një krim; kur janë vërtetuar të 3 këto elemente në mënyrë kumulative. Mbështetur mbi bazat kushtetuese e ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se, funksionarët publikë kanë detyrimin të deklarojnë të dhëna për dënime me burgim me vendim të formës së prerë për veprime apo mosveprime brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, të cilat konsiderohen “krime” dhe jo dënimet me gjobë, në kuptim të Kodit Penal. Bazuar në nenin 11 të ligjit të “dekriminalizimit”, KQZ duhet të bëjë kallëzim penal për ata funksionarë që nuk kanë deklaruar dënime, vetëm për ato krime të cilat përbëjnë shkak për përfundimin e ushtrimit të funksionit”, shtoi më tej zëdhënësja. 

Në fund, KQZ ka thënë se qëllimi i ligjit të dekriminalizimit është “të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj dhe të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve. Çdo interpretim tjetër i dispozitave të ligjit për dekriminalizimin është i gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi automatikisht sjell dhunimin e një sërë të drejtash kushtetuese”.

“KQZ e ka treguar qartësisht vullnetin në lidhje me zbatimin e ligjit për dekriminalizimin! Në të gjitha rastet kur Prokuroria dhe organet e tjera i kanë vënë në dispozicion materialet e mjaftueshme në lidhje me subjekte të caktuara, KQZ nuk ka hezituar për asnjë çast dhe ka vendosur menjëherë ndërprerjen e mandateve të deputetëve, kryebashkiakëve apo këshilltarëve bashkiakë”. /noa.al