Transmetuar më 18-02-2017, 19:02

Tre nga personat që janë përzgjedhur si kandidatë të kualifikuar për komisionet e Vetting-ut, janë ose kanë qenë nën ndjekje penale.

Fakti pohohet nga ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Ai tha pasditen e së shtunës, se tre nga 29 kandidatët e filtruar, megjithatë janë të lidhur me krimin pasi “kanë qenë ose janë në ndjekje penale”.

Sakaq, një e katërt nuk ka punuar asnjë ditë juriste. Kurse një i pestë është ende punonjës i prokurorisë, por me mbështetje të fortë politike.

Në këtë pikë lind pyetja: Vallë a i ka parë OMN këto emra? Sepse është e qartë se ata shkelin me të dy këmbët ligjin mbi kriterin e përzgjedhjes, ligj që në rastin e të paktën 3 nga 29 emrat e përzgjedhur përfundimisht, është “harruar”.

Për z.Manjani, është e papranueshme që emra të tillë të jenë në komisionet e Vetting-ut: “Ky informacion i bën të papranueshëm ligjërisht ato emra! Se nuk mund të quhet vetting kur i burgosuri vihet të kontrollojë prokurorin e gjykatësin! Kjo quhet hakmarrje”.

Manjani thekson se vettingu do të bëhet për të pastruar sistemin nga të paaftët, të papërshtatshmit dhe shpresoj dhe të korruptuarit!”, duke shtuar se “vetting-u nuk është hakmarrje”.

Ish ministri ka dhe një vlerësim për kryeministrin Edi Rama: “Rama ka koncepte të rrezikshme për shtetin dhe demokracinë dhe për këtë nuk mund të më bindë askush tjetër për të kundërtën”. /noa.al/