Transmetuar më 18-02-2017, 14:44

Trajneri Pep Guardiola përmes një deklarate për mediat, ka përjashtuar mundësinë që ai dhe sulmuesi argjentinas Lionel Messi të punojnë sërish së bashku, te Manchester City apo te Barcelona, si dikur.

Pas dështimit të Barcelonës në Champions League (u mund 4-0 nga PSG) zërat për largimin e trajnerit Luis Enrique u shtuan dhe Messi shpreson që te skuadra të rikthehet trajner Guardiola.

Kjo ndoshta do t’i mbushte mendjen edhe sulmuesit që të rinovonte kontratën, teksa ende mungon firma. Por ai që ka mbyllur dyert e një rikthimi në Spanjë ka qenë vetë trajneri Guardiola, që tha: “Jo, nuk kam për t’u kthyer kurrë te Barcelona për ta drejtuar. Epoka ime aty ka përfunduar”, tha Pep.

Më tej, trajneri spanjoll beson se rruga e tij dhe ajo e Messit nuk kanë për t’u kryqëzuar më, as te skuadra e City, ku ndodhet aktualisht Guardiola. Sipas telesport, ai beson se nuk ekziston mundësia që të ndodhë transferimi i sulmuesit argjentinas në Premier League.

“Unë e kam thënë disa herë dëshirën time që Messi ta mbyllë karrierën te Barcelona. Nuk besoj se ai do të vijë këtu, ndaj nuk kam për ta drejtuar më atë lojtar që është i magjishëm”, tha Guardiola.