Transmetuar më 18-02-2017, 09:45

Një redaktor sporti nga Bjellorusia është detyruar të hajë faqe nga gazeta e tij pasi nuk parashikoi si duhej ecurinë e një skuadre vendase në sportin e hokej në akull.

Vyacheslav Fedorenkov, i cili shkruan për gazetën kryesore në bjellorusi, "Pressball", pohoi se Dinamo Minsk nuk do të arrinte në "Play off" të Kontinental Hockey League (khl), një turne ndërkombëtar që dominohet nga ekipet ruse. Por skuadra tregoi se e kishte gabim, duke e detyruar Zotin Federenkov "të hante" atë që kishte shkruar.

Federenkov u paraqit në "Minsk Arena", pikërisht në qendrën e konferencave për shtyp me një gazetë në dorë dhe një tas me supë. Pasi e bëri gazetën në copa të vogla ai e hodhi në supë dhe filloi ta hante.

"Do të bëja gjithçka për skuadrën e zemrës, megjithatë në të ardhmen do të mendohem dy herë para se bëj një premtim. Unë e mbajta premtimin tim, por edhe trajnerët dhe lojtarët duhet të mbajnë premtimet e tyre në të ardhmen”, deklaroi redaktori.