Transmetuar më 17-02-2017, 20:12

Nga Flutura Açka

Vendi më i errët në Ferr, u takon atyre që ruajnë neutralitetin në kohë krizash morale. Ndaj unë protestoj… si detyrë dhe si e drejta ime si qytetare, më 18 shkurt dhe çdo ditë, sepse: 1. Nuk mund të pranoj që pas 25 vitesh demokraci, portretet e diktatorit shfaqen në mitingjet politike qeveritare, ende pa u kërkuar një ndjesë e thjeshtë për krimet dhe shfarosjen, burgosjen, dënimin dhe përdhunimin e mijëra njerëve nën një nga regjimet më të tmerrshme mbi këtë dhe. Nuk mund të pranoj që faqet e para të gazetave ende hapen me intervistat e eksponentëve të diktaturës. Nuk mund të pranoj që media ende ka ekrane për cinizmin e së vesë së diktatorit. 2. Nuk mund të pranoj që në krye të shtetit tim të jenë narkopolitikanë, që e kanë kthyer Atdheun tim në hambar kanabisi, në qoshe të ndryrë të Europës ku strehohet dhe trafikohet drogë, në triller më të tmerrshëm të vjedhjeve të bankave, të bastisjes së aeroporteve, të vrasjeve të bankierëve dhe çerdhe kriminelësh, mes tyre edhe shpesh të veshur me pushtet. 3. Nuk mund të pranoj dhunën ndaj njeriut të thjeshtë që shet në rrugë, fermerit që i sekuestrohen perimet, njerëz të varfër e të ndershëm që përpiqen të nxjerrin bukën e gojës, kur e di me emër dhe mbiemër se cili ministër ka porositur 50 kostume pesë mijë euroshe vetëm për veten e tij. 4. Nuk mund të pranoj që të shkatërrohet historia e Atdheut tim, siç po ndodh këto ditë në Durrës, i kërcënuar tashmë jo vetëm nga betoni i shtruar dhe montuar nëpër pallate të shëmtuara, por edhe ngrihet si kupola e strehë në emrin e projekteve kinse urbane. Shqipëria me diell pafund dhe e bukura e dheut nuk ka nevojë për kasketa betoni, siç duan të bëjnë njerëzit e paditur dhe shallvarexhinjtë turkoshakë që na drejtojnë. Nuk mund të pranoj që qytetet janë kthyer në fjetore dhe fshatrat shqiptare tek e humbin identitetin duke u kthyer në qyteza. Nuk mund të pranoj një Shqipëri të tillë pa identitet. 5. Nuk mund të pranoj të shkatërrohet dhe të kthehet në kodër sheshi më i rëndësishëm i kryeqytetit tim, duke groposur miliona euro, pa menduar se para së gjithash, këta njerëz kanë nevojë për një shërbim publik transporti dinjitoz, kanë nevojë për çerdhe (dhe jo bojatisje çerdhesh), ka nevojë për bibliotekën e qytetit dhe një Bibliotekë Kombëtare dinjitoze, kanë nevojë për kinema të reja, për klinika mjekësore të reja, parqe të rinj, për trotuarë, për puseta, ujë e drita si qytetarë të dinjitetshëm. 6. Nuk mund të pranoj që në mënyrën më kriminale farmacive të Atdheut tim shiten shpesh barna të skaduara dhe të pakontrolluara, që në spitalet publike shqiptare edhe për shërbimin më të thjeshtë, madje edhe për të pastruar nën shtrat, duhet të paguash, që edhe të parkosh në një parkim publik të spitaleve (falas), duhet të paguash, që edhe barnat e tua falas si pacient, duhet t’i blesh vetë nga jashtë spitalit. 7. Nuk mund të pranoj, që si kurrë në historinë shqiptare, deklarime raciste të artikuluara nga eksponentë të lartë shtetërorë, janë bërë aq të shpeshta dhe aq hapur kundër një pjese të shqiptarëve, termat e përçarjes mes shqiptarëve në gegë e toskë, termat “çun tirone” e “tosk i madh”, leqendisje e hargalisje publike ndaj qytetarëve të thjeshtë e që “të epërmve” me pushtet u duken nën klasin me të cilën begenis të debatojë politika, shpërvjelja e qytetarit të thjeshtë dhe tallja publike – kategori etike të papranueshme dhe të neveritshme për mua. 8. Nuk mund të pranoj që media shqiptare, e cila ka rolin më të madh në këto njëzet e pesë vite në shërbim të fjalës së lirë, është tani një e burgosur kombëtare, e shitur në të shumtën e saj si kurrë më parë ndaj pushtetit, kërcënimet, hedhjen në rrugë, denigrimin dhe intimidimin e gazetarëve të thjeshtë, kësaj armate dhe këtij pushteti në shërbim të publikut. Akuzoj censurën e gjallësuar dhe e ushqyer viteve të fundit, si kurrë më parë, si një dëshmitare personale dhe viktimë e saj. 9. Nuk mund të pranoj një administratë shtetërore të shpërfillur, të ndarë politikisht, të përdorur dhe të keqpërdorur, të kërcënuar dhe të kthyer në shërbëtorë të politikës intelektualë të keqpaguar dhe të harruar, institucione që i shërbejnë artit, historisë, kulturës, edukimit të keqpaguar dhe të shpërfillur nga politika dhe politikat shtetërore. 10. Nuk mund të pranoj që opozita, e sotme, e djeshme dhe e nesërme, që përfaqëson në çdo kohë interesat e qytetarëve të thjeshtë, të jetë inaktive, të bëjë kinse protesta, të bëjë kompromise (si dukshëm një pjesë e deputetëve të opozitës së sotme, të cilët nuk kanë folur ende asnjë fjalë në Parlament) dhe të mos e ngrejë me protesta paqësore zërin dhe shqetësimin e qytetarëve, për çka edhe është votuar, qoftë edhe në minorancë.