Transmetuar më 17-02-2017, 17:03

Në analizën vjetore të Agjencisë së Parqeve dhe të Rekreacionit, kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj u bëri thirrje protestuesve që të tregohen të kujdesshëm për të mos e ndotur apo dëmtuar qytetin nesër.

 “Si kryetar i Bashkisë kam respektuar kërkesën për t’i dhënë leje PD për të përdorur për proteste hapësirën publike te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, një kërkesë nuk ndryshon kurrë për cilëndo parti: Mos na e bëni pis Tiranën!”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se qyteti i Tiranës është i të gjithë qytetarëve dhe ai duhet mbajtur pastër. Veliaj u kërkoi protestuesve që në fund të tubimit ta pastrojnë vetë Bulevardin.

“Ne mund të kemi bindje të ndryshme politike, por Tirana na dhimbset të gjithëve, ndaj edhe porosia ime është që të protestojmë si qytetarë dhe ju lutem mos e bëni pis Tiranën! Nëse e bëni pis, sigurohuni që e pastroni, se do të thotë që shumë prej punonjësve tanë që do të duhet të ishin pushim ditën e shtunë, ose do të duhej të merreshin me aktivitete në park, t’i heqim nga shtëpitë e tyre për të pastruar zakonisht atë që mbetet pas protestave. Pavarësisht se edhe partia në fjalë paguan gjoba për këtë punë, por unë besoj që si qytetar sot, të protestojmë si qytetarë, ama të mos këpusim asnjë lule, të mos shqyejmë asnjë gur, të mos urinojmë rrugëve”, u shpreh ai.

Veliaj u shpreh shpresëplotë që edhe qytetarët, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, do të respektojnë standardin që është vendosur për një Tiranë të pastër, të gjelbër dhe higjienike. Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj premtoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë me ndërtimin e parqeve të reja dhe të këndeve të lojërave jo vetëm në zonën urbane, por edhe në zonat rurale, të cilat i janë bashkuar së fundmi kryeqytetit. Ai u shpreh se filozofia për ndërtimin e hapësirave të reja të rekreacionit për qytetarët do të zgjerohet.

“Po japim një sinjalizim se filozofia e Agjencisë së Parqeve dhe e Rekreacionit do të shkojë gjithashtu dhe në ish komuna, kryesisht në vende që askush nuk kishte menduar për fëmijët, por vetëm për betonin dhe për pallatet”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se përkundër pretendimeve të organizatorëve të protestave për të ndaluar ndërtimin e parkut të lodrave, tashmë kjo hapësirë e re është një nga më të vizituarat nga qytetarët e Tiranës.

“Do hyjë në historinë e shkencave politike kur të mësojnë studentët se si mund të bësh politikë me çfarëdolloj gjëje. Kazusi se si një histeri kolektive, 78 protesta në 100 ditë për këndin e lodrave, dhe ja ku jemi sot: s’ka as pallate, as kafe, as çudira. Jo vetëm nuk u prenë pemët, por u shtuan, jo vetëm nuk u prenë lulet se s’kishte fare, por u shtuan. Sot është ndoshta hapësira më popullore në hapësirën e Tiranës. Kur njerëzit thoshin pse na duhet ai kënd lodrash kur ne s’kemi në lagje, ne thamë po pse duhet të zgjedhim, pse s’i bëjmë të dyja?”, theksoi Veliaj. Kreu i Bashkisë deklaroi se Parku i madh i Liqenit vizitohet nga 275 mijë njerëz rregullisht.

“Vendosëm të krijonim Agjencinë e Parqeve sepse besoja fort se një politikan duhet të provojë me prova gjërat që i beson. Më thoni, ka ndonjë politikan sot që thotë, jam kundër pemëve? Të gjithë thonë jemi pro mjedisit, pro gjelbërimit. Pyetja është: çfarë bën ti për këtë punë? Unë besoj se duhet të vijmë në një kohë që, një gjë që thuhet, duhet të përkthehet në aksion konkret”, tha kreu i bashkisë./noa.al