Transmetuar më 17-02-2017, 10:12

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 9 vjetorin e Pavarësisë, që sipas tij janë 9 vite jo të lehta, me vështirësi të ndryshme. Me një postim në faqen e tij në Facebook, Basha shprehet se do të jetë gjithmonë në krah të udhës së Kosovës drejt integrimit, si tani në krye të opozitës, edhe nesër në krye të qeverisë.

Urimi i Bashës për Kosovën

Sot në vitin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, të dytën ditë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dua të uroj nga zemra vëllezërit dhe motrat e Kosovës. Nëntë vite të pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë vite të lehta. Vështirësi të shumta kanë sfiduar udhën e saj drejt projektit të shtetformimit. Por pjekuria e durimi, forca e mençuria, besimi i pashterë te liria, respekti fisnik ndaj tipareve më të vyera kombëtare me të cilat ju të dashur vëllezër dhe motra keni përballuar këto sfida do të shkruhen në faqen e krenarisë sonë kombëtare. 

Të dashur vëllezër e motra të Kosovës. Çdo sukses i juaji është sukses i ynë, çdo hap i juaji përpara na rrit dhe ne, çdo dhimbje lëndon njësoj. Rruga që kemi përpara është ende e mbushur me sfida. Realizimi i aspiratës tonë kërkon ende sprova e pas çdo sprove rritet qartësia dhe vizioni se jemi në rrugën dhe anën e drejtë të historisë. 

Në këtë ditë të përvjetorit të nëntë të pavarësisë më lejoni që bashkë me urimet e gëzimin të ndaj me ju një premtim, se çdo orë, çdo ditë e jetës dhe e punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh, busulla orientuese më e qartë, energjia që do të ushqejë çdo hap tonin përpara. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, së bashku do t’ia dalim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë.