Transmetuar më 16-02-2017, 23:08

17 milionë euro për SME-të në Shqipëri sipas Programit të Zhvillimit dhe Inovacionit të Sipërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor. Fondi Evropian i Investimeve (EIF) dhe Raiffeisen Bank nënshkruajnë marrëveshje garancie për SME-të

Fondi Evropian i Investimeve (FEI) dhe Raiffeisen Bank, kanë nënshkruar një marrëveshje garancie për të mbështetur Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla (SME) në Shqipëri, nëpërmjet Programit të Zhvillimit dhe Inovacionit të Sipërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor (WB EDIF).

Marrëveshja e Programit të Zhvillimit dhe Inovacionit të Sipërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor synon të lehtësojë qasjen në financim për SME-të në Shqipëri, duke ofruar mbulim të kreditit në një portofol të kredive të SME-ve me kushte atraktive prej 17 milionë euro gjatë dy viteve të ardhshme.

Duke komentuar mbi transaksionin e Garancisë të EIF së, Drejtori i Mikrofinancave Alessandro Tappi tha: "Ne jemi të kënaqur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje garancie të parë në Shqipëri nën fazën e dytë të Garancisë së Facilitetit të Ballkanit Perëndimor. Garancia nëpërmjet Raiffeisen Bank do të rrisë aksesin në financim për SME-të dhe në këtë mënyrë, do t’ju mundësojë atyre të rrisin bizneset dhe të krijojnë vende pune”.

Z.Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm në Raiffeisen Bank, tha: "Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në rritjen më tej të bazës tonë të klientëve, si dhe në zgjerimin e portofolit të kredisë. Përveç kësaj, ajo do të na mundësojë të bëjmë oferta më konkurruese për klientët tanë duke ulur kështu kostot e tyre të kreditimit”.