Transmetuar më 16-02-2017, 22:45

Në takimin e zhvilluar dje ne zyrat qendrore te NATO, ne Bruksel, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Gen. Mattis kërkoi rritjen e buxhetit te mbrojtjes se vendeve anëtare të NATO, në kufirin limit prej 2% të GDP, ashtu siç e kërkon detyrimi për pjesëmarrjen e një vendi në Aleancën e Atlantikut Verior. 

Po Shqipëria? 

Qeveria shqiptare ne buxhetin e vitit 2017 ka parashikuar afërsisht 1% të GDP. 

Por edhe kjo jo reale dhe hileqare.

Pas kërkesave serioze të administratës së re të SHBA dhe Presidentit Trump, shpresoj të mos vazhdojë loja me kungulleshka, gjoja po ia hedhim aleateve dhe në të vërtetë tregohemi një shtet aspak serioz me detyrimet qe kemi karshi aleateve tanë strategjike. 

Loje kalamajsh me spitalin e Traumës.

Njëherë buxheti dhe varësia nga ministria e Shëndetësisë. Pastaj varësinë e ka MSH, por buxhetin e ka Ministria e Mbrojtjes. Nuk ka fëmijë qe nuk e merr vesh qe behet për te rritur fiktivisht buxhetin e mbrojtjes.

Kalojnë të gjithë helikopterët e shtetit, të policisë, shëndetësisë, ushtrisë në Farke që të rrisin buxhetin e MM me karburantin dhe pjesët e ndërrimit.

Me te tilla veprime qesharake ja hedhim vetëm vetes, jo aleatit strategjik, SHBA. 

Presidenti, Qeveria dhe partitë politike pozitë dhe opozitë duhet të jenë në unison dhe të bindur plotësisht për sfidat e reja që paraqiten para botës perëndimore sot.

Shqipëria duhet të jete vendi më serioz për plotësimin e detyrimeve qe rrjedhin nga anëtarësia, për vetë rëndësinë që ka për të gjithë kombin dhe stabilitetin e rajonit, prania e saj në NATO.

Stabiliteti i rajonit është në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe garanci për investime të huaja. Pa siguri nuk ka as investime, as punësim, as prosperitet. 

Qeveria duhet të ndërgjegjësohet për seriozitetin dhe rëndësinë e kërkesave të SHBA dhe mos të vazhdojë lojën e kungulleshkave.

Takimi i majit, i nivelit të lartë, duhet ta gjejë shtetin shqiptar me një reflektim real në buxhetin e tij. 

Nëse qeveria nuk e merr seriozisht, këtë detyrim që lind nga pjesëmarrja në këtë aleancë sigurie, atëherë duhet ta marrë Kuvendi përgjegjësinë në komisionet e Sigurisë dhe Ekonomisë që të amendojnë buxhetin. 

Le të anulojnë nga lista ca koncesione që kanë parashikuar për t’i dhënë këtë vit, në fakt janë PPP, dhe të plotësojnë pak nga pak gepin e madh buxhetor për mbrojtjen.

Të lënë mënjanë investimet në shërbim të fushatës së zgjedhjeve dhe sheshet me pllaka, qoftë edhe rritjen elektorale të rrogave. Më shumë rëndësi se kush fiton zgjedhjet, është garancia që duhet t’i japim SHBA-ve se në krah kanë një aleat serioz. Kjo garanci shërben për Kosovën dhe shqiptarët kudo që jetojnë në rajon.

Koha e protagonizmit bosh dhe fjalëve ka kaluar. Duhet seriozitet dhe përkushtim në marrëdhëniet strategjike me SHBA.

Çdo veprim tjetër ose nënvleftësim është kundër interesave të vendit, kombit dhe pranisë së Shqipërisë në NATO.