Transmetuar më 16-02-2017, 18:41

Prokuroria e Tiranës ka treguar për mediet rrugën që iu desh të ndiqte për identifikimin e grabitjes së parave të bankave dhe arrestimin e 4 personave. Gjithcka nisi në dhjetor të 2015, ku në bazë të një hetimi të nisur, janë krijuar dyshime të arsyeshme se Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa kanë lidhje me vjedhjen me armë të një shume të konsiderueshme parash të një banke të nivelit, të cilat po transportoheshin nëpërmjet automjeteve të një kompanie private sigurimi për në aeroportin e Rinasit. Kjo ngjarje ka ndodhur në datë 03.12.2015.

Në bazë të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se pas disa muajsh hetimesh, në vjeshtën e vitit 2016, një informacion i përftuar në rrugë operative tregonte se shtetasi Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë që kishte marrë përsipër transportin e parave që u vodhën në Dhjetor 2015, kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, për të cilat nuk kishte mundësi reale për t’i krijuar nga burime të ligjshme. Këto para ishin shpenzuar kryesisht për blerje makine, rregullim shtëpie, blerje dyqani, etj. Prokuroria e Tiranës kreu verifikimet e nevojshme për të vërtetuar të dhënat e ofruara në informacion operativ.

Në Shkurt 2016, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime të arsyeshme se, shpenzimet e të dyshuarit Fatjon Xhyliu ishin përtej mundësive të tij reale. Gjithashtu, ndërkohë ishin siguruar edhe të dhëna të tjera, të cilat mendohej se e lidhnin atë me vjedhjen e Dhjetorit 2015. Për këtë arsye, në dt. 12.02.2017, prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e tij, si person nën hetim për veprat penale të “Vjedhjes me armë” për ngjarjen e vitit 2015.

Pas ndalimit të tij, në bazë të hetimeve të kryera, janë identifikuar edhe disa persona të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në vjedhjen me armë të vitit 2015. Nga verifikimet e deritanishme, janë përftuar të dhëna, të cilat përfshijnë edhe shtetasit Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa.

Në bazë të deklarimeve paraprake të personave nën hetim, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet e arsyeshme mbi skemën e vjedhjes së parave në Dhjetor 2015, por që ka të dhëna se e njëjta është përdorur edhe për ngjarjen e ndodhur në Shkurt 2017, ku, në po të njëjtën mënyrë, u vodhën një tjetër sasi parash, e cila po transportohej për në Rinas nga një kompani private sigurimi fizik. / noa.al