Transmetuar më 16-02-2017, 16:05

Nga Spiros Sideris

Themelues i IBNA dhe AFP

Rrugëtimi ynë filloi katër vite më parë. Ishte kjo koha kur përkundër çdo pritshmërie, Independent Balkan News Agency (IBNA), nisi e vetme një mision të vështirë, në një periudhë të trazuar.

Ky ishte vërtet një rrugëtim i vështirë, sepse IBNA po përpiqej të bënte diçka që shumëkush e konsideronte qesharake; IBNA do të bashkonte popujt e Ballkanit, në vend që t’i ndante ata.

Ky, në vetvete, ishte një mision mjaft i vështirë, pasi edhe pse këto vende kanë kaq shumë ngjashmëri kulturore dhe tradita, ata vendosin të pasqyrojnë mjaft dallime mes tyre.

“Epo, ky është Ballkani”, ishte ajo që dëgjoja ngado ku shkoja.

Këtu në IBNA, jemi përpjekur që publikun ta informojmë pa etiketime dhe pa paragjykime irredentiste apo nacionaliste.

U përpoqëm që vendet e Ballkanit t’i njihnim me njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë çdo element politik.

Ky mision i cili filloi katër vite më parë, ka bërë një rrugëtim të gjatë, tashmë, dhe sot ka ardhur koha të hedhim edhe një hap tjetër.

Sot, ju keni në duart tuaja, numrin e parë të gazetës Albanian Free Press, pjesëtarja më e re e familjes IBNA, e cila bëhet gjithnjë dhe më e madhe.

Dalëngadalë, por me hapa të sigurt, ne po i largohemi nacionalizmit dhe populizmit.

Themelet tona bazohen në parimet elementare të gazetarisë: informim dhe jo keqinformim, ideologji gazetareske dhe mbi të gjitha, respekt për ju, lexuesin, sepse besojmë fort se një qytetar i mirinformuar, është thesar mjaft i çmuar për shtetin.

Pa kurrfarë dyshimi, edhe ky rrugëtim do të jetë i vështirë, por të gjithë këtu, në Albanian Free Press, kemi fuqinë, vullnetin, dëshirën dhe përvojën për të ndryshuar mjedisin mediatik.

Për ta mbyllur, ju ftojmë që t’i bashkoheni dhe ta shijoni këtë udhëtim. Ju jeni fuqia jonë, ndërsa ne do të jemi zëri juaj!