Transmetuar më 16-02-2017, 15:37

Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje ka qenë qëllimi i një memorandumi të nënshkruar mes bashkisë së Tiranës, Këshillit të Europës dhe Ambasadës Zvicerane. Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Claus Neukirch dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, gjatë një takimi ku mori pjesë edhe eksperti zviceran, Andreas Gross.

“Kjo është një marrëveshje që synon të bëjë më mirë atë që tashmë po e bën Bashkia e Tiranës. Ne kemi pasur disa eksperienca fantastike, të asaj që ne e quajmë demokracia me pjesëmarrje. Disa momente kyçe ku ne e kemi zbatuar demokracinë direkte ishte hartimi i buxhetit me pjesëmarrje, ku qytetarët propozojnë buxhetin, pastaj votojnë në forume publike, miratojnë propozimet tona për buxhetin, për shpenzime, për investime etj”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Z. Veliaj tha se bashkia e Tiranës e ka bërë standard të sajin marrjen e mendimit të qytetarëve nëpërmjet konsultimeve të hapura dhe të gjithanshme për projektet e saj, që kanë  një impakt të madh dhe të drejt për drejtë tek qytetarët.

Ai shtoi se eksperienca që Bashkia e Tiranës realizoi gjatë diskutimeve për Planin e Përgjithshëm Vendor apo edhe për projektin e sheshit “Skëndërbej” të shërbej edhe si një udhërrëfyes për bashkitë e tjera, për të rritur pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.

“Shpresoj shumë që standardi që vendosëm në Tiranë, e them këtë edhe si Kryetari Shoqatës së Bashkive, të jetë një standard që e aplikojmë edhe në bashkitë e tjera, si dhe një shembull që mund të përsëritet sepse besoj që demokracia duhet trajtuar jo si një sport që ndodh njëherë në katër vjet në kutitë e votimit, por si një aktivitet i përditshëm për të ruajtur shëndetin demokratik të vendit dhe të qyteteve tona”, tha Veliaj./b.l/noa.al/