Transmetuar më 15-02-2017, 15:15
Publicitet

Universiteti i Prishtinës ka marrë një letër të nënshkruar me akronimet e organizatës terroriste Shteti Islamik apo ISIS, në kohën që rektorati i këtij universiteti po bënte përgatitjet për ceremoninë e shënimit të 47 vjetorit të themelimit të universitetit.

Lajmin e ka konfirmuar prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti. Sipas tij, ceremonia për shënimin e përvjetorit të Universitetit të Prishtinës është dashur të mbahet në Sallën e kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

“Dje në mëngjes stafi jonë, kur shkoi të bëj përgatitjet për mbajtjen e ceremonisë, gjen një letër, e cila paralajmëronte kërcënimin, nën firmën ose emrin e ISIS-it. Në letër thuhej: ‘Do t’ju sulmojmë më datën 15 shkurt, në orën 11:00, ISIS! Shihemi të Zoti’. Do të thotë, saktësisht në kohën  ne kishim parashikuar mbajtjen e ceremonisë”, u shpreh Hoti.

Ai ka shtuar se letrën kërcënuese e kanë dërguar në Policinë e Kosovës ndërsa ceremonia për shënimin e themelimit të Universitetit të Prishtinës është mbajtur sot në sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.