Transmetuar më 15-02-2017, 13:34

Mosha nuk e ndalon Zhang Hexianin të praktikojë artet marciale, të cilat i ka nisur që kur ishte vetëm 4 vjeç. Me kalimin e viteve, aftësitë e 94 vjeçares janë përmirësuar, duke bërë që së fundi, banorët e kontesë Ninghai ku jeton e moshuara, t’i vënë me dashamirësi nofkën “gjyshja Kung Fu”.

Ninghai njihet si fshati i arteve marciale. Aty “Kung Fu”-në e praktikojnë pothuajse të gjithë banorët. Mësimet e para Zhang i ka marrë nga i ati dhe ka vazhduar pastaj t’i respektojë me të njëjtin ritëm përgjatë 9 dekadave.

“Nisa të ushtrohem me babain kur isha shumë e vogël. Mësova bazat e arteve marciale, siç është shtytja me pëllëmbe apo goditja me grusht”, tha Zhang Hexian, “gjyshja Kung Fu”.

Praktikimi i “Kung Fu”-së është pjesë e rutinës së përditshme të Zhangut, shkruan tch. Ajo merret çdo mëngjes me ushtrime pa u lodhur aspak dhe, pavarësisht viteve që ka mbi supe, gëzon shëndet të plotë.

“Ajo zgjohet shumë shpejt çdo ditë dhe bën ushtrime fizike rregullisht, pa u lodhur. Shpesh, për ushtrim mëngjesi ka vrapin rreth fshatit”, tha i biri Feng Chuanyin.