Transmetuar më 14-02-2017, 16:35

Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për përmirësimin e infrastrukturës për çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Gjatë analizës vjetore të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve për vitin 2016 dhe objektivat për vitin 2017, Veliaj deklaroi se sikurse u veprua me ndërtimin e 31 çerdheve dhe 27 kopshteve, do të vijojë puna për ndërtimin edhe të shkollave.

“Plani që shpalosëm dje është që të shkojmë në një partneritet publik – privat. Ajo që po themi është, shpenzojmë të njëjtin buxhet vjetor, por në vend që t’i bëjmë një e nga një shkollat, e bëjmë siç e bëmë me çerdhet dhe kopshtet, të gjitha përnjëherë. Nëse do të vazhdonim me ritmin që punonte administrata tjetër, mua do të më duheshin 8 mandate për të ndërtuar 20 shkollat që i duhen Tiranës. Me ligj e kam 3, dashtë publiku më voton për dy, por me ligj e kam 3”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se me shëndoshjen që kanë pësuar financat, si pasojë e miradministrimit të fondeve, po shihet mundësia për rritjen e mëtejshme të pagave të edukatoreve që punojnë në çerdhe apo në kopshte. 

“Më vjen mirë që me shëndoshjen financiare të Bashkisë patëm mundësi që të bënim një rritje të parë të rrogave për të gjithë edukatoret dhe gjithë punonjësit tanë në shërbimet e fëmijëve dhe jam shumë shpresëplotë që nëse bashkia do të vazhdojë me këto ritme, do jemi akoma më të mundur që të shpërblejmë financiarisht dhe t’i barazojmë rrogat tona. Nuk shikoj asnjë arsye se pse rrogat e edukatoreve të çerdheve dhe kopshteve mos të jenë në të njëjtin model që të kemi mundësi dhe të themi që në këtë qytet për mundin e barabartë kemi një rrogë të barabartë”, tha ai.

Kryebashkiaku komentoi dhe çështjen e transportit publik ku theksoi se është përmirësuar flota dhe janë hapur disa linja të reja të udhëtimit. Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës po monitoron me rigorozitet operatorët ekonomik edhe me GPS duke e modernizuar. Ai  komentoi dhe idenë e Bashkisë së Tiranës për të lehtësuar fluksin e qytetarëve për transportin publik, ku mund të bëhet edhe një përshtatje e orareve të fillimit të punës nga institucionet e ndryshme, publike dhe private.

“Në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, puna fillon në orën 6:30-7.00 të mëngjesit. Ashtu siç kemi bërë me çerdhet dhe kopshtet, kur i paraprimë fluksit të orës 7 me 8, që është fluksi më i madh, duke i filluar respektivisht në 6:30 edhe 7, do të duhet ta bëjmë këtë edhe me institucionet e tjera. Ndoshta edhe me shkollat private, ndoshta edhe me shumë prej ministrive apo agjencive të ndryshme.

Vërtet e kemi shtuar numrin e autobusëve nga 200 në 290 mjete, por nëse mbi 100 mijë njerëz dalin në të njëjtën kohë për të filluar aktivitetin e tyre, në të njëjtën orë nuk ka metro nuk ka tren, nuk ka autobusë që e përballon këtë. Ndaj është e rëndësishme që ashtu siç vendosëm për çerdhet dhe kopshtet, oraret 6:30-7:00, ashtu të vendosim edhe për institucionet e tjera si një mënyrë për ta kalendarizuar dhe për ta shpërndarë fashon orare të fluksit të mëngjesit”, tha Veliaj./b.l/noa.al/