Transmetuar më 14-02-2017, 09:11

Prej 11 ditësh, 9 banorë të Zharrëzës së Fierit janë në grevë urie, në kërkim të një përgjigjeje për dëmet e shkaktuara nga shpërthimet e kompanisë naftënxjerrëse Bankers. Të pakënaqur me reagimin e institucioneve, grevistët kërcënojnë se nga pasditja e sotme do ndërpresin edhe lëngjet dhe ndihmën mjekësore.

“Ujë s’ka më, doktor s’ka më, do t’i ndërpresim të gjitha edhe ndihmën mjekësore”, – u shprehën grevistët.

Në njoftimin më të fundit për shtyp më datë 8 shkurt Ministria e Energjisë dhe Industrisë ndër masat e marra për këtë çështje deklaron se do t’i kërkojë kompanisë Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në zonën e Zharrëzës.

Gjithashtu ky institucion u ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Institucionit të Prefektit Fier dhe bashkisë Patos të marrin masa të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë vlerësuar si të pabanueshme dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda, deri sa të konkludohet me pranim nga qeveria dhe Bankers, përgjegjësia për shkaktimin e lëkundjeve sizmike, ose të disponohet një vendim i formës së prerë nga një palë e tretë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për këtë çështje.

Por deri tani nuk dihet nëse do të konkretizohen kërkesat e ministrisë.