Transmetuar më 14-02-2017, 07:00

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Michael Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se ai nuk u kishte treguar të vërtetën zyrtarëve të administratës Trump rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Dorëheqja e zotit Flynn, kur administrata Trump ka më pak se një muaj që ka filluar nga puna, shënon një tronditje të pazakontë në ekipin e lartë të këshilltarëve të Presidentit.

Flynn ishte mbështetës besnik i zotit Trump gjatë gjithë fushatës, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim mes bashkëpunëtorëve të tjerë të lartë.

Gjenerali Keith Kellog është emëruar për të shërbyer si këshilltar në detyrë i Sigurisë Kombëtare.

Flynn fillimisht u tha këshilltarëve të zotit Trump se me ambasadorin rus nuk kishte diskutuar për sanksionet. Nënpresidenti Mike Pence, me sa duket nisur nga informacionet e marra nga Flynn, dha garanci publike për këshilltarin e sigurisë kombëtare.

Flynn më pas u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se ai mund të kishte diskutuar mbi sanksionet me ambasadorin, por nuk i kujtohej.

Dy persona që kanë dijeni për situatën thanë se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar administratën Trump për kontaktet e zotit Michael Flynn me Rusinë.

Sipas njërit prej tyre, Departamenti i Drejtësisë i tha administratës se ka pasur mospërputhje midis asaj që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht në lidhje me kontaktet e zotit Flynn dhe fakteve rreth këtyre kontakteve.

Personi në fjalë tha se Departamenti i Drejtësisë ishte i shqetësuar se zoti Flynn mund të ishte në pozitë të komprometuar.

Një zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë prej javësh ka qenë në dijeni të paralajmërimit të Departamentit të Drejtësisë. Por zyrtari nuk dëshironte të thoshte nëse presidenti ishte informuar për çështjen.

Dy personat nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi çështjen prandaj komentuan në kushte anonimiteti.

Gazeta Washington Post ishte e para që njoftoi për komunikimet me Departamentin e Drejtësisë.

Hesht Shtëpia e Bardhë

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, disa herë nuk e ka shfrytëzuar rastin ta mbrojë këshilltarin për siguri kombëtare, Michael Flynn, i cili u është nënshtruar kritikave për shkak të bisedave telefonike që i ka pasur me një diplomat rus, derisa president ishte Barack Obama.

I pyetur nga rrjeti televiziv, NBC, se a e mbështet presidenti, Donald Trump, këshilltarin e tij, Michael Flynn, zoti Miller është përgjigjur duke thënë se “nuk më takon mua të them se çka mendon Presidenti”.

Kurse i ballafaquar me përsëritjen e pyetjes ai tha “se kjo është pyetje për Presidentin”.

Zoti Miller tha se kjo është “një çështje e rëndësishme” për të cilën më së miri do të përgjigjeshin Trump, zëvendëspresidenti Mike Pence, ose shefi i kabinetit, Reince Priebus.

E përditshmja Washington Post ka raportuar se Michael Flynn ka diskutuar për sanksionet amerikane kundër Rusisë, në një seri të bisedave telefonike me ambasadorin e Rusisë në Uashington, Sergei Kislyak, aty kah fundi i vitit të kaluar, ndërsa president ishte Barack Obama dhe po përgatitej inaugurimi i Donald Trumpit.

Disa ligjvënës demokratë kanë pretenduar se bisedat telefonike, mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, ku sanksionohet se shtetasve privatë nuk u lejon të udhëheqin politikë të jashtme.

Zoti Flyn fillimisht i kishte hedhur poshtë pohimet se ka diskutuar për sanksione gjatë bisedave telefonike. Megjithatë, pas raportit në Uashington Post, ai tha se nuk i kujtohet nëse çështja e sanksioneve ishte diskutuar.

Presidenti amerikan, Donald Trunmp, ende nuk i ka komentuar akuzat ndaj këshilltarit Flynn, ndërsa në një moment tha se nuk kishte njohuri për raportet e publikuara.