Transmetuar më 13-02-2017, 14:18

Për të tretin vit radhazi, janë hapur specializimet për të gjithë studentët e Mjekësisë që duan të vijojnë studimet e Nivelit të Tretë. 185 vende është kuota e përcaktuar këtë vit, ndërsa janë regjistruar për të garuar 279 aplikantë.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, ndoqi nga afër për disa minuta ecurinë e procesit. Ditën e sotme, ishte faza e parë e testimit, ajo e intervistës me gojë. 19 komisione të përbëra me nga 6 anëtarë bënë vlerësimet për të gjithë kandidatët pas seancës së pyetje-përgjigjeve.

Në prononcimin e tij, z. Beqaj e vuri theksin tek vijimësia e këtij procesi, duke shtuar se këtë vit, procesi i përzgjedhjes së specializantëve në mjekësi po bëhet në bazë të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë.

“Ka filluar sot procesi i përzgjedhjes së specializantëve në mjekësi, apo studimet e nivelit të tretë në mjekësi, siç quhen dhe ndryshe, në përputhje dhe me reformën, tashmë në zbatim, të Arsimit të Lartë. Është viti i tretë që vazhdon të ketë specializime të reja në mjekësi, gjë që, së pari, na ndihmon për të plotësuar boshllëqet e krijuara në trupën mjekësore me specialistë në të gjithë vendin. Krijojmë një vijimësi, shpresojmë që kjo të vazhdojë vit pas viti për tu dhënë një lloj sigurie dhe garancie studentëve që mbarojnë mjekësinë e Përgjithshme, që procesi është një proces në vijim”, nënvizoi z. Beqaj.

Duke falënderuar Universitetin dhe Fakultetin e Mjekësisë për organizimin e procesit, i cili tashmë është kthyer në një normalitet, Ministri Beqaj tha se procesi është çliruar edhe nga përfoljet që ka pasur vitet e tjera.

“Këtë vit, praktikisht raporti është 2 me 3, pra në çdo 3 mjekë të përgjithshëm që marrin pjesë në konkurs, ka mundësi që 2 prej tyre, të mund ta zgjedhin specialitetin që është një situatë, -unë mendoj,- përgjithësisht e favorshme. Sigurisht, që përgëzimet më të mira shkojnë, në radhë të parë, për Universitetin e Mjekësisë, për Fakultetin e Mjekësisë për organizimin, sepse tashmë ky është një proces i kthyer në normalitet, por edhe një proces, i cili është çliruar nga përfolje të ndryshe që ka patur në vite të tjera, vite të mëparshme, ku ka patur edhe akuza për situata jo të ligjshme apo tentativa për mitmarrje”, theksoi z. Beqaj./b.l/noa.al/