Transmetuar më 13-02-2017, 11:59

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në takimin e organizuar nga Bashkia e Tiranës për projektin e ndërtimit të 20 shkollave të reja në kryeqytet.

Në një ceremoni në shkollën "Fan Noli" në kryeqytet, Rama deklaroi se ky investim është modeli i parë i projekteve të financuara nga programi “1 miliard dollarë për rindërtim”.

Në fjalën e tij Rama e vuri theksin te rëndësia e investimit në arsim, si një nevojë për të mbështetur dijen, duke theksuar se investimi në arsim është investim drejt së ardhmes së vendit. 

“Me bashkinë e Tiranës, sot lançojmë një projekt që është një model i parë i projekteve të programit tonë “1 miliard dollarë për rindërtim”. Është një program që do të bëjë të mundur në kohë të shkurtër të atyre veprave që do të kërkonin një kohë shumë të gjatë që të realizoheshin nga arka e shtetit. Ky aspekt ka një rëndësi të madhe. Ka në total 150 shkolla që do të ndërtohen në të gjithë vendin së bashku me 20 shkollat që do t’i shtohen Tiranës”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri tha se shkollat e reja do të normalizojnë numrin e nxënësve në klasa, do të shmangin turnet e pasdites dhe do krijojnë hapësirën e duhur për ta kthyer shkollën në qendër komunitare. Më tej ai shtoi se programi do të dyfishojë rritjen ekonomike, synimi i të cilit është të kalojë pragun e 5 %. 

“Investimet do të jenë shtysë për ekonominë dhe punësimin. Programi do të dyfishojë rritjen ekonomike, synimi i të cilit është të kalojë pragun e 5 %. Projekti do të zhvillohet që fëmijët të kenë shkolla të denja. Ndërsa programi do të ketë një impakt ekonomik e social. Kjo shkon paralelisht me kthimin e Tiranës nga drejtimi i duhur duke shpenzuar gjysmë milioni euro për nxënësit me dhjeta. Në ndryshim nga katër vjet kur Bashkia e Tiranës u kthye në një fjetore”, shtoi ai.

Po ashtu ai solli në vëmendje faktin se bashkia e Tiranës ka rikthyer çekun e bebeve të sapolindura, kujtesë që e bëri me qëllim, siç tha, "sepse kanë rëndësi për të ditur se ku do të hidhet vota në zgjedhje"./b.l/noa.al/