Transmetuar më 13-02-2017, 08:25

Menduh Thaçi do të vazhdojë të jetë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, edhe pse kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme më parë.

Kuvendi Qendror i partisë së tij nuk e pranoi dorëheqjen dhe zoti Thaçi u tha mjeteve të informimit se kishte ndryshuar mendje për shkak të gjendjes së partisë dhe zgjedhjeve të pritshme vendore të caktuara për në muajin maj.

Por partia do të caktojë një datë për mbajtjen e kongresit ku duhet të zgjidhet një kryetar i ri, ose të vazhdojë të mbetet z. Thaçi në krye të saj. Alternativa e fundit është më e mundshme, sipas burimeve brenda partisë.

Menduh Thaçi pak ditë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit pati njoftuar dorëheqjen e tij përmes rrjetit social Facebook.

Partia e tij pësoi humbje të thellë në zgjedhjet e 11 dhjetorit prej nga doli vetëm me dy deputetë. Në mandatin para këtij, PDSH kishte shtatë poste ligjvënësish.