Transmetuar më 12-02-2017, 13:11

Censura madje censuron edhe censurën, për një censurë edhe më perfekte, pa autor, si akt kolektiv, duke shkelur ligje dhe rregulla, vepruar pas krahëve, si skuth i ndyrë, si palaço, si maskara pa din e pa iman.

Nga Artan Fuga

Kush të dojë të vijë te unë në zyrë t’i rrëfej censurën që u bëjnë jo vetëm shkrimeve në gazeta, presionin që ushtrohet deri në masakër mbi mendjet e gazetarëve, kontrollin që u bëhet formateve televizive dhe përmbajtjeve që derdhen në to, të ftuarve. Po këto nuk janë asgjë.

T’ju rrëfej censurën që ushtrohet për skenaret e filmave, për teatrot, pjesët e teatrit, skeçet madje edhe ato humoristike, për video game, për kalimin e teksteve dhe imazheve nga mediat klasike drejt mediave jolineare dhe anasjelltas, censurë për operat, për pikturat, për ekspozitat.

Doni edhe censurë për romanet, për librat filozofikë, për studimet doktorale të bllokuara prej katër vitesh, për studimet për ligjet dhe për ekonominë, censurë për të dhënat e Instatit, për informimin e publikut, për të mbajtur mbyllur mbledhjet e këshillave bashkiake në vend që t’i shfaqin në web, censurë për çmimet, për gjithçka, për dhënien e gradave dhe titujve shkencorë.

Censurë për procedurat e agjencive publike dhe shoqatave.

Censura po bën kërdinë dhe flasin analistët për lirinë e shprehjes dhe të medias?

Censurohet mendimi i lirë në akademira, shkolla, në kërkimin shkencor, në projektet shkencore që duhet të financohen nga agjencitë publike.

Censurohen edhe vitrinat e dyqaneve,

edhe ngjyrat e kostumeve dhe fundeve te grave,

edhe ngjyra e kollareve,

edhe emrat e rrugëve,

edhe madje fletët e lajmërimeve për vdekje,

censurohen ftesat për dasma, a mbledhje,

censurohen edhe ambalazhet e kileve të sheqerit.

Kavanozët e kosit po e po.

Gjithçka krefet.

Censura ka krijuar një shoqëri të heshtjes.

Kanë frikë qytetarët të thonë një fjalë, shohin majtas, djathtas, mbrapa para, lart dhe poshtë para sesa të të thonë; Mirëmëngjes!

Censurohen madje edhe fjalët e ndyra në muret e nevojtoreve publike që quhen blogje gjoja interaktive mediash online.

Janë censuruar zogjtë që këndojnë.

Censurohen këngët e festivaleve.

Madje edhe tekstet shkollore.

Censurohen muzika dhe vallet e dasmave.

Censurohen ministrat madje edhe vetë censori censuron vetveten.

Censuron vetveten dhe pastaj qan.

Eshtë i shqetësuar.

Më kanë dhënë urdhër ! – u thotë viktimave.

Edhe unë kam grua, fëmijë, biznes, më bllokon ministria, prandaj ju bllokoj juve.

Censura madje censuron edhe censurën, për një censurë edhe më perfekte, pa autor, si akt kolektiv, duke shkelur ligje dhe rregulla, vepruar pas krahëve, si skuth i ndyrë, si palaço, si maskara pa din e pa iman.

E di si është?

Kur Shqipëria merrte çmimin për ushqimin dhe populli vuante për bukën e gojës.

Kujtoni nuk e dini se censurën nuk e dinë të gjithë?

Të gjithë e dinë. Por censurohet edhe mendimi kundër censurës, prandaj duket se nuk ka censurë.

Censuroni o censorë që e keni mësuar zanatin që kur ishit spiunë dhe denonconit shokët e lagjes dhe të ekipit të futbollit apo të shkollës!

Shumë shpejt do të denoncoheni!

Një ditë do të dilni para gjyqit!

Për shkelje të ligjit,

për shkelje të kushtetutës,

për shkelje të lirive qytetare,

për abuzim me detyrën,

për genocid ndaj kulturës kombëtare,

për përdhosje të personalitetit të intelektualëve!

Censurohet opinionisti, i shkreti.

Censurohet edhe gazetari nga zëvendës shefi.

Censurohet edhe shefi nga kryeshefi.

Censurohet edhe kryeshefi nga drejtori.

Censurohet edhe drejtori nga dreqi dhe i biri.

Pastaj Dreqi censuron të Birin.

Pastaj censuron i Biri Dreqin.

Censurohen edhe ikona e gazetarisë.

Po bëjnë sikur nuk censurohen.

Sepse ju vjen turp të jenë edhe ikona edhe të censuruara.

Kush ? Ku u censurua?

Ik ore budalla!

Jo vallahi nuk kam pa gja.

Mua nuk guxojnë të më censurojnë.

… unë censurohem vetë

… qethem vetë

… masturbohem vetë.

Nuk e rruj fare,

rruhem vetë.

Të tjerët po.

Mua?

Jo!

O pika të raftë!

Censuron plaku, por edhe plaka,

Censuron burri me kofshë të shkurtra,

Censuron edhe macja me shalë të gjata,

Censuron qerosi pa flokë në çaçkë, por edhe shtriga me flokë litar varur,

Era djerse nga sikleti i censurës.

Censuron Stalini qe mban duart futur në xhepat e palltos gub,

censuron edhe lopa me çantën louis vuitton varur në parakrah.

Qeshni, qeshni poshtë syve tuaj dinakë rrotulluar me rrathë që tregojnë mosha të plakura, ju që kurrë nuk krijuat asgjë në dekada, vetëm ndrydhët, spiunuat, përfolët, pështytë të tjerët.

E keqja juaj do të shpërblehet, pa merak.